ASK: Gjukanoviq duhej ta raportonte dhuratën e marrë nga Knezeviqi
Sipas vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ish-presidenti i Malit të Zi në vitin 2010 pranoi udhëtimin dhe qëndrimin e paguar në Dubai për vete dhe bashkëshorten, shpenzime që i mbuloi Dushko Knezeviq në emër të Atlas Grupit, pa i raportuar ato.
Ish-presidenti i Malit të Zi dhe atëherë kryeministër, Milo Gjukanoviq, ka shkelur Ligjin për parandalimin e korrupsionit, ka konstatuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (ASK).
Sipas vendimit të Agjencisë, siç njofton Vijesti, në vitin 2010 Gjukanoviqi pranoi qëndrim të paguar në hotel dhe bileta avioni për në Dubai për veten dhe bashkëshorten e tij, Lidijan. Shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit nga 25 deri më 30 mars 2010 i pagoi Dushko Knezeviq në emër të Atlas Grupit.
ASK ka konstatuar gjithashtu se Gjukanoviqi as nuk e refuzoi dhuratën, as nuk paraqiti raport me shkrim pranë organit ku ushtronte funksionin, siç e kërkonte ligji.
Iniciativën në lidhje me këtë udhëtim të paguar e kishte paraqitur para shtatë vjetësh Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar (MANS).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.