Ata që duan të fshehin Berishën në protestë
Nga Mero Baze
Ka një debat banal mbi dhunën në protestat e bulevardit dhe justifikimin e organizatorëve që të mos e pranojnë që dhuna është e planifikuar. Arsyeja është se të gjithë po përpiqen të bëjnë sikur Berisha nuk i ka marrë ende protestat nën kontroll dhe duan ta justifikojnë dhunën si provokim të policisë. Madje këtë e thotë dhe vetë Berisha, por me një fytyrë të kënaqur që i shndrin nga kënaqësia kur e mohon.
Le të marrim protestën e së shtunës. Që në fillim të saj ishin rreth 10–15 djem të rinj me maska në fytyrë, nga ata që vijnë të përgatitur për akte dhune. Disa prej tyre u identifikuan pastaj duke thyer dyert e komisariatit nr. 3 për të “nxjerrë çunat nga qelitë”. Pra të gjithë ata që përpiqen t’i justifikojnë se ata i provokoi policia, ndaj u bënë të dhunshëm papritur në fund të protestës, duhet të na shpjegojnë nëse dhe maskat ua ka blerë policia.
Ose si ta shpjegojmë që ata kanë blerë një arkivol dhe kanë shkuar në protestë me të? A e di sa e vështirë është të blesh një arkivol? Do shkosh tek një kompani funerale, të japësh një emër të vdekuri, ta marrësh, ta transportosh deri në bulevard dhe pastaj të caktosh dhe njerëz që ta mbajnë në krah. Është akt i paramenduar si një simbol i dhunës. Nuk them që është gabim. As nuk jam duke thënë se është krim. Por është një skenografi e parapërgatitur. Dhe nëse organizatorët e protestës bëjnë sikur nuk e marrin përsipër, ata ose nuk i pyet më njeri fare në shesh, ose janë hipokritë.
Ky është justifikim banal. Ata janë protestues që jo vetëm kanë ardhur të përgatitur për dhunë, por janë dhe njerëz shumë më politikë dhe më të vendosur për të rrëzuar qeverinë se kushdo tjetër në shesh. Ata janë kontingjent i Partisë Demokratike dhe nuk kanë asnjë lidhje me këta që mbajnë mikrofonin me pagesë dhe bëjnë thirrje për paqe, ndërkohë që shpërndajnë lista linçimesh publike për këdo që kanë inat apo që vendosin ta linçojnë. Kështu që ata që janë ushtrues të dhunës janë më të ndershëm dhe më të sinqertë se këta që bëjnë thirrje për paqe dhe nga ana tjetër ndërsejnë skalionet e dhunës kundër gazetarëve, artistëve apo figurave publike. Se ata së paku e kanë me pushtetin dhe qeverinë. Këta skuthat e mikrofonëve që bëjnë lista linçimesh, e kanë për zilitë e tyre të vogla, dështimet e tyre në jetë dhe urrejtjen ndaj atyre që nuk i arrijnë dot. Janë si dita me natën me ata djemtë që vijnë në protestë për t’u vrarë.
Së dyti ky miti se sheshin e mbush diaspora është një gënjeshtër. Në ditët e protestive mbarëkombëtare protesta pesëfishohet, ndërsa nga diaspora nuk vijnë dot më shumë se 500 vetë. Nuk është se kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 100 vetura ato ditë me protestues. Ajo që e mbush sheshin është ideja që do ketë dhunë, se do vijnë nga jashtë çunat e Londrës dhe prapë në rrugë janë në fakt njerëzit e PD-së së Berishës që mezi presin një ditë të tillë. Shumë herë më tepër se diaspora sjell Albin Kurti, dhe këto xhamitë e Maqedonisë, por ata përveç marshimit të dhunshëm nuk bëjnë dot gjë tjetër se sa hapin gojën, kuptohet nga janë. Kështu që dhe ai shesh atë ditë u mbush po nga PD, por që këta organizatorët nuk duan ta pranojnë dhe bëjnë sikur ka ardhur diaspora dhe ka pesëfishuar pjesëmarrjen.
Janë thjesht protestuesit klasikë të PD. Madje dhe ata që vijnë nga diaspora janë 100 për 100 të PD, por janë pak. Kështu që gënjeshtra se protestën po e bën diaspora apo forca të tjera të angazhuara është banale. Zemra e protestës është PD dhe fuqia e saj është forca.
Dhe më qesharakë në këto histori janë një kategori që gjithë fuqinë e protestës dhe mbijetesën e saj ia dedikojnë atyre që janë dhe kundër Berishës dhe kundër Ramës. Në fakt protestën e mban në këmbë Berisha. Dhe ata i mban në këmbë Berisha si opozitarë se nuk mund të bëhen për 24 orë kundër tij. Paguhen prej Berishës, marrin rroga nga media e familjes së Berishës, janë me Berishën dhe bëjnë sikur distancohen nga ai për të treguar që ka një fuqi të tretë politike në vend. Do ishte lajm i mirë sikur të kishte, por nuk ka akoma. Do t’i pres me gëzim kur të shfaqen në bulevard. Dhe shenja është që mos t’i lavdërojnë këta që janë me Berishën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.