AUSTRI – Dy ukrainas në paraburgim me dyshimin për spiunazh
VJENË, 9 tetor /ATSH-AFP/ – Dy shtetas ukrainas janë vendosur në paraburgim në Austri, në kuadër të një hetimi për spiunazh, njoftuan autoritetet austriake.
Ndërkohë, edhe dy gazetarë ukrainas janë arrestuar, por më pas janë liruar.
“Dy personat e parë u arrestuan të hënën, ndërsa dy të tjerë të enjten”, deklaroi ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, për mediet, duke refuzuar të bëjë të ditur identitetin e tyre.
“Ata dyshohen për spiunazh. Aktualisht po zhvillohen hetimet”, tha ai, duke shtuar se nuk mund të jepte informacione të mëtejshme.
Sa u përket dy personave të tjerë të arrestuar, një zëdhënëse e prokurorisë tha se ata ishin ndaluar mbi bazën e “dyshimeve që nuk u konfirmuan”.
“Njëri është liruar tashmë, ndërsa tjetri pritet të lirohet sot”, shtoi ajo.
Zëdhënësja nuk pranoi të specifikonte natyrën e dyshimeve apo identitetin e personave në fjalë.
Megjithatë, sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës dhe gazetës ukrainase “Ukrainska Pravda”, bëhet fjalë për gazetarin Mykhailo Tkach dhe kameramanin Yaroslav Bondarenko.
Mykhailo Tkach, drejtues i sektorit të gazetarisë investigative në “Ukrainska Pravda”, u arrestua në Vjenë teksa po kryente një detyrë gazetareske lidhur me prokurorin e përgjithshëm në arrati, Ruslan Kravtchenko.
Sipas gazetës, ai u mbajt në ndalim për 12 orë.
“Yaroslav Bondarenko u plagos gjatë ndalimit dhe u dërgua në spital. Policia nisi ta merrte në pyetje vetëm vonë gjatë natës”, shtoi media ukrainase.
Organizata joqeveritare “Reporterët pa Kufij” (RSF) dënoi arrestimin dhe u kërkoi autoriteteve austriake “të zbardhin plotësisht këto ngjarje dhe të garantojnë mbrojtjen e pajisjeve dhe burimeve të tyre”.
Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se kishte marrë konfirmimin për lirimin e Mykhailo Tkach dhe deklaroi se do të vijonte bashkëpunimin me autoritetet austriake “për të sqaruar rrethanat e ndalimit”. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.