Opinion

Autokritikë edhe për ata që janë shqetësuar për Edi Ramën

Nga Mero Baze

Tani më duhet të bëj edhe një autokritikë tjetër të thelluar për kolegët gazetarë, mbështetës të Berishës dhe opozitarë të tjerë të trembur që përgjojnë përse ndodh kjo, kush po e sulmon Ramën për kullën, pse po e sulmojnë, çfarë fshihet pas gjithë kësaj etj.

Fillimisht ju kërkoj ndjesë gazetarëve të palëkundur në mbrojtje të Berishës, të cilët i detyrova të lëvizin për një moment nga istikami i tyre ku ruajnë me pushkë Model 56, se mos u sulmon njeri Berishën, dhe u hodhën në mbrojtje të Edi Ramës.

Nuk di a e kanë bërë me leje a pa leje të Berishës këtë dalje nga vija, por për mua kjo është një vrasje ndërgjegjeje pasi e di mirë çdo të thotë të lësh llogoren që mbron Saliun e të hidhesh të mbrosh Ramën nga “të vetët”.

Nëse e kanë bërë me leje të Saliut, të më falin dhe të mos e marrin në konsideratë këtë autokratikë.

Por e di mirë sa të sinqertë janë në këtë gjë, pasi brenda Foltores, tradhtia e të folurit kundër të parit është mbi të gjitha tradhtitë. Ndaj dhe janë kaq të ndjeshëm.

Së dyti, më duhet t’i kërkoj falje Erion Veliajt, për të cilin shumica e të lartpërmendurve kanë idenë se ka qenë kundër kullës dhe lejes së saj dhe tani do të marrë hak ndaj Ramës përmes meje, pse Rama ka dhënë lejen e kullës.

E di që nuk i kam hap ndonjë telash real, por ai me aq inteligjencë sa ka, mund t’ia paraqesë Ramës këtë si një shërbim të madh PR, pasi duke sakrifikuar veten dhe duke duruar thashethemet ndaj tij, ka bërë të mundur që skalionet më të egra të gazetarëve të Saliut t’i bëjë t’u vijë keq për Ramën dhe të vajtojnë prej 24 orësh që po i bien më qafë “të vetët”.

Këtë dhe sikur nga një kullë t’i jepje secilit, nuk do të mund të arrinte askush.

Dhe e gjithë kjo u mundësua vetëm duke testuar a janë vërtet të mërzitur me Ramën apo jo, njerëzit e Berishës. Testi provoi jo vetëm që nuk janë të mërzitur me Ramën, por janë të mërzitur me këdo që guxon të prekë Ramën.

Ndaj i kërkoj ndjesë që ai u bë shkak që të na dekonspirohen dhe njerëzit tanë pranë Berishës.

Së treti, më duhet t’i kërkoj falje Gimit, Shtufit, kunatit të Sandrit, Sandrit vet, shokëve të Sandrit, ortakëve të tyre dhe gjithë të interesuarve të “Mëhallës së Kullës” në Rolling Hills.

Nuk kam gjë personale me ta. Nuk kanë pse dërgojnë njerëz për negociata apo për dreka e darka, se nuk kam asnjë hall.

I njoh që para tridhjetë vjetësh, kur dikush e ka nis biznesin duke shit femra në Bolonjë, të tjerë duke shit ujë me sheqer e më pas si gjithë shokët e tyre, nga këta që merren me kulla.

Puna është se tani do identifikohen me kullën e Zenit, dhe përveçse do t’u ndriçohet për publikun çdo gjë e tyre, do t’u duhet të marrin përsipër ndonjëherë të shajnë dhe sulmojnë dhe Zenin, se ndryshe mund të humbasin gjithçka.

Për Gimen nuk kam shumë merak, se e ka bërë sa herë i është dashur kjo gjë, për këta të tjerët, para Zenit.

Sa për Shtufin nuk kanë pse nxjerin zonjën Garo ta mbrojë se ai mund të mbrohet vet, se nuk i dorëzon lekët në PD por tek Zeni. Ose minimumi mund të dalë Armina, se asaj i ka dhënë formalisht vilën që bën 10 mijë euro në muaj me qira simbolike.

Në fund duhet ti kërkoj ndjesë dhe Shkëlzenit që jo vetëm po reflekton për dëmet që i ka bërë Luli në familje, por po shqetësohet se mos të njëjtën gjë i bën dhe Erioni Edi Ramës.

Një përkujdesje e tillë për Ramën na bën të skuqemi të gjithë.

Dhe aq shumë është dashuruar me këtë ide sa në reagimin sotëm përdorte dhe fjalët e artikullit të Ramës, ku shquan fjala “derdimen” që Zeni se ka as ne fjalor as në krahinë. E ka vetëm në karakter, por i duhet shpjeguar që nuk është fjalë e mirë. Mund tia thotë këtë fjalëshkruesi i tij.

Dhe kështu njëra palë mbron kullën, tjetra mbron ata që mbrojnë kullën dhe të dy krah për krah po kërkojnë të gjejnë kush qëndron pas këtij sherri.

Unë qëndroj nëse ju duhem!

Por puna është, që ju dhe armikun e doni fals. Si pronarët e kullës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button