Balla për kërkesën e Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e PS: E kam mik, por të përballet vetë me drejtësinë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur këtë të mërkurë për kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, drejtuar PS-së dhe SPAK-ut për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve.
I pyetur nëse Partia Socialiste do t’i kërkojë SPAK-ut leje për pjesëmarrjen dhe fjalën e Veliajt në këtë mbledhje, Balla tha se kjo është një çështje që duhet t’i drejtohet sekretarit të përgjithshëm të partisë.
Ai u shpreh se çështjet e përfaqësuesve socialistë me drejtësinë janë individuale dhe se strukturat e PS-së nuk mund të shërbejnë si mburojë për askënd. Balla pranoi se Veliajn e ka mik, por theksoi se kryebashkiaku duhet ta përballojë vetë procesin me drejtësinë, pa përfshirë partinë.
“Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së”, deklaroi Balla.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.