Kapet në Greqi shqiptari i për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, dyshohet edhe për një tjetër vrasje të dyfishtë në Korinth
Një 44-vjeçar shqiptar i dënuar me 22 vite burg në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër është arrestuar në Greqi, pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve policore të dy vendeve. I kërkuari ndërkombëtarisht kishte arritur t’i shmangej drejtësisë duke përdorur identitet të rremë, ndërsa identifikimi i tij u bë i mundur përmes analizimit të të dhënave biometrike.
Policia e Shtetit bëri të ditur se arrestimi u krye në kuadër të një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim mes Drejtorisë së Interpol Tiranës, Institutit të Policisë Shkencore dhe Policisë greke.
I arrestuari është Zef Preldakaj, i njohur edhe si Fran Preldakaj, 44 vjeç, i cili në Greqi prezantohej me identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.
Sipas policisë, Preldakaj ishte dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vite burg për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja për të cilën ai është dënuar ka ndodhur në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër të Shkodrës. Sipas dosjes hetimore, Preldakaj, së bashku me dy persona të tjerë, kishte shkuar në subjektin e dy vëllezërve me qëllim grabitjen e xhiros ditore.
Gjatë përplasjes që pasoi tentativën për t’i marrë armën njërit prej autorëve, njëri prej bashkëpunëtorëve ka qëlluar me armë ndaj dy vëllezërve, të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Hetimet kanë provuar se Preldakaj kishte qëndruar te dera e subjektit, duke mbuluar dhe siguruar veprimet e dy personave të tjerë. Pas krimit, ai ishte larguar së bashku me ta.
Por ndaj 44-vjeçarit rëndojnë edhe dyshime për një tjetër ngjarje të rëndë kriminale jashtë Shqipërisë. Në vitin 2020, autoritetet greke e kanë akuzuar për vrasjen e dy personave në Korinth, një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën brenda një automjeti.
Përveç këtyre akuzave, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi edhe për grabitje me armë, shkelje të legjislacionit për armët dhe lojërat e fatit, si dhe për posedim të lëndëve narkotike.
Policia sqaron se identifikimi i saktë i tij u realizua nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, përmes ekspertimit të thelluar të të dhënave biometrike. Ky proces bëri të mundur që autoritetet të konfirmonin identitetin e personit që përdorte dokumente dhe gjeneralitete të ndryshuara.
Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët grekë për dokumentimin e plotë të përfshirjes së tij në veprimtaritë kriminale dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin në Shqipëri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.