Bardhi: Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi i integrimit europian, duke theksuar se megjithëse Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave, ky proces nuk është shoqëruar me transformimin demokratik të institucioneve.
Ai akuzoi qeverinë se ka mohuar të drejtën kushtetuese të opozitës për të kontrolluar ekzekutivin, duke mos pranuar asnjë kërkesë për interpelancë apo llogaridhënie nga deputetët.
Bardhi tha se opozita ka paraqitur gjashtë kërkesa për komisione hetimore, të cilat nuk janë pranuar, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që i kanë dhënë të drejtë.
“Integrimi europian i Shqipërisë është dhe duhet të jetë një proces transformimi i shtetit shqiptar. Për fat të keq, edhe pse Shqipëria është një një fazë të avancuar të negociatave, fatkeqësisht nuk rezulton që ky proces të jetë shoqëruar me transformimin demokratik të institucioneve në vend. Për ne si opozitë, parlamenti duhet të jetë institucioni që siguron që ligjet zbatohen, qeveria kontrollohet dhe reformat europiane janë gjithëpërfshirëse dhe nuk mbeten vetëm në letër. PE ka evidentuar shqetësimin për dobësimin kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin. Ky është një shqetësim që ne duhej ta adresonim menjëherë, por kjo nuk ka ndodhur edhe pse Kushtetuta i jep pakicës të drejtës të kontrollojë qeverinë, kjo e drejtë mohohet.
Në një vit, kryeministri nuk ka pranuar asnjë kërkesë për interpelancë apo llogaridhënie nga deputetët në Kuvend. Kjo i ka pamundësi opozitës që të luaj rolin e vet dhe të mbajë përgjegjëse qeverinë për fenomene negative që prekin interesin publik. Gjatë kësaj legjislature kemi paraqitur 6 kërkesa për komisione hetimore. Asnjëra nuk është pranuar. Edhe pse i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kjo na ka dhënë të drejtë për ngritjen e Komisioneve Hetimore, ende vendimet e saj nuk zbatohen nga shumica parlamentare. Ky nuk është rasti i parë. Rasti më i fundit ishte vendimi i javës së shkuar lidhur me statusin e magjistratëve, ku shumica parlamentare rimiratoi një ligj që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese 3 herë. Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligej me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane”, tha Bardhi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.