Uzhice: shfaqet zgjeba mes nxënësve të shkollave, në zhvillim hetimi epidemiologjik
Shtëpia e Shëndetit në Uzhice njoftoi më 3 nëntor Institutin e Shëndetit Publik për rritjen e numrit të të prekurve nga zgjeba mes nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa më 5 nëntor u regjistruan dy raste te nxënës të shkollës së mesme.
Në Uzhice ka nisur një hetim epidemiologjik pas shfaqjes së zgjebes (shugës) mes nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në territorin e qytetit, siç njofton portali Regionalne Vesti, duke iu referuar dr. Katarina Ristoviqit nga Instituti i Shëndetit Publik në Uzhice. Sipas saj, Shtëpia e Shëndetit e Uzhices e njoftoi Institutin më 3 nëntor për numrin e rritur të të prekurve mes nxënësve.
Dr. Ristoviq shpjegoi se, sipas rregullores për raportimin e sëmundjeve ngjitëse, zgjeba nuk raportohet në Institut me raportime individuale, por raportohen epidemi të kësaj sëmundjeje në kolektive, në mënyrë që të ndërmerren masat e duhura për parandalimin e përhapjes së mëtejshme, përcjell edhe Glas Srpske.
“Më 5 nëntor u raportuan dy raste të zgjebes te fëmijë të moshës shkollore që ndjekin shkollën e mesme në Uzhice dhe hetimi epidemiologjik është në zhvillim. Kjo do të thotë se po punojmë për të përcaktuar nëse ka epidemi, e ajo ekziston nëse numri i të prekurve është më i madh se zakonisht”, ka thënë dr. Ristoviq. Sipas saj, më shumë informacion nëse në territorin e qytetit të Uzhices ka epidemi të zgjebes apo jo do të ketë javën e ardhshme.
Zgjeba shkaktohet nga paraziti Sarcoptes scabiei dhe mund të transmetohet lehtë nga një person te tjetri, sidomos në mjediset shkollore ku të rinjtë mblidhen shpesh. Specialistët theksojnë rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe të masave parandaluese për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, e cila, megjithëse ngjitëse, është e shërueshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.