BELGJIKË – Kryeministri De Wever drejt dorëheqjes pas dështimit të negociatave për buxhetin
– Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, pritet të takohet sot në mëngjes me mbretin Philippe, pasi negociatat për buxhetin dështuan gjatë natës, raportoi agjencia e lajmeve “Belga”.
Një grup i ngushtë ministrash nuk arriti të gjente një marrëveshje për buxhetin federal të vitit 2027, si dhe për paketën e kursimeve prej 10 miliardë eurosh, që duhet të realizohet deri në vitin 2029, për të ulur deficitin dhe borxhin publik të Belgjikës. Negociatat vijuan deri në orët e para të së hënës.
Sipas burimeve të cituara nga “Belga”, De Wever mund t’i paraqesë mbretit dorëheqjen.
Mbreti mund ta pranojë ose ta refuzojë atë, ose t’i kërkojë kryeministrit të qëndrojë në detyrë deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës.
De Wever, një politikan konservator dhe nacionalist, drejton një koalicion qeverisës me pesë parti, që përfshin qëndrime të ndryshme politike, nga e majta në të djathtë.
Sipas “Belga”-s, bisedimet e zhvilluara deri në orët e vona të natës, nuk arritën të kapërcenin mosmarrëveshjet mes krahut të djathtë dhe atij të qendrës së majtë brenda koalicionit.
Partitë e djathta kundërshtojnë propozimet, pasi sipas tyre parashikojnë ende “shumë taksa”, ndërsa partitë e majta kërkojnë që barrën më të madhe financiare, ta mbajnë ata që kanë mundësi më të mëdha ekonomike.
Belgjika, një nga vendet me borxhin publik më të lartë në Bashkimin Evropian, duhet të kursejë miliarda euro për të respektuar rregullat e BE-së për deficitin dhe borxhin publik.
Në të njëjtën kohë, vendi po përballet me presionin për të rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen në vitet e ardhshme, në përputhje me planet e NATO-s.
Qeveria po përballet gjithashtu me pakënaqësi në rritje nga qytetarët dhe sindikatat, të cilat kanë organizuar protesta kundër masave shtrënguese që pritet të përfshihen në buxhet.
Në tetor, rreth 40 mijë persona morën pjesë në një protestë të organizuar nga sindikatat në Bruksel kundër shkurtimeve të planifikuara të buxhetit.
Dy ditë më vonë, një marshim tjetër mblodhi deri në 60 mijë protestues, të cilët i kërkuan qeverisë të mos heqë dorë nga objektivat e saj për klimën. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.