Benet Beci e ka vrarë “Enverin” e tij, e djathta po vdes bashkë me të 

Nga Mero Baze

Ajo që ndodhi dje në Postribë, është një ngjarje kulturore për të djathtën shqiptare, pasi për herë të parë një kryebashkiak i zgjedhur nga e majta ka respektuar moralisht, por dhe financiarisht, përkujtimin e një prej kryengritjeve antikomuniste në Shqipëri, e cila u shtyp në mënyrë të përgjakshme.

Nuk ka shumë rëndësi gjesti i një torollaku që shkon e heq kurorat dhe i hedh në anë të rrugës, pasi i duket sikur Benet Beci i ka vrarë gjyshin. Babai i Benet Becit ishte një akademik i djathtë që ruante gjuhën shqipe. Nuk ka ndonjë lidhje me krimet e komunizmit.

Sali Berisha ka qenë sekretar partie dhe ka internuar një mjeke dhe është përfshirë profesionalisht si mjek në dëmtimin e një të dënuari politik.

Partia Socialiste e sotme nuk ka asnjë përgjegjësi për trashëgiminë e Partisë së Punës. Ajo është distancuar prej saj me ligje që dënojnë komunizmin, është distancuar duke ngritur institucione që hetojnë, zbulojnë dhe publikojnë krime të komunizmit, ka votuar dhe ka ngritur institucione që rehabilitojnë viktimat e diktaturës, është e vetmja që ka dëmshpërblyer financiarisht dhe vazhdon ende të dëmshpërblejë ish- të përndjekurit politik, dhe ka bërë ndarje ideologjike me të shkuarën komuniste të vendit.

Aq tutje ka shkuar në këtë drejtim, sa Edi Rama është gati ta paguajë ndonjë që t’i thotë komunist, se hallin më të madh që ka është se të gjithë e akuzojnë si të djathtë me projektet ekonomike që zhvillon dhe qasjen sociale që ka në qeverisje.

Incidenti i porositur nga Sali Berisha është thjesht një akt dëshpërimi i atyre që nuk pranojnë dot se kundërshtari i tyre është një njeri normal. Të njëjtën gjë pat bërë dhe me kurorën e Lulzim Bashës tek vdekja e Bujar Nishanit. Kaq di të bëj Berisha. Të prishi ceremoni varrimi për pushtet.

Por akti i Benet Becit dhe jo i atij torollakut, është ai që bën diferencën me të djathtën shqiptare.

Mendoni pas ndonjë dekade, kur gjërat të qetësohen dhe Berisha të jetë në botën tjetër, dhe Tirana të ketë ndonjë kryebashkiak të djathtë.

Përfytyroni një moment sikur ai pastaj të shkojë të vendosë kurora me lule tek vendi ku Berisha ka vrarë katër protestues kundërshtarë të tij më 21 janar 2011. Ai do të jetë momenti kur e djathta shqiptare do të vrasë Enverin e saj. E majta dhe sidomos Benet Beci, e ka vrarë me kohë.

Dhe nëse ndodh, se është normale të ndodhë, mos prisni ndonjë torollak nga e majta të shkojë të heqë lulet duke thënë se paraardhësi i tij i ka vrarë gjyshin apo babanë. Torollakë të tillë gjen vetëm tek Berisha dhe të shpresojmë se do ikin bashkë me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *