Berisha: Familjet në Kosovë shpenzojnë mbi gjysmën e buxhetit për ushqim
Rritja e konsumit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të mirëqenies së qytetarëve, sipas ekonomistes Brikena Berisha.
E ftuar në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Berisha ka folur për koston e jetesës dhe mënyrën se si duhet të interpretohen shpenzimet e familjeve kosovare.
Ajo tha se një nga çështjet që duhet kuptuar është dallimi ndërmjet konsumit dhe mirëqenies.
“Definitivisht, ajo që realisht është edhe zanafilla e asaj që më intereson mua, është që me u bo e ditur që konsumi nuk domethënë mirëqenie”, tha Berisha.
Duke iu referuar Anketës së Ekonomive Familjare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ajo tha se mbi gjysma e buxhetit familjar mund të shkojë vetëm për ushqim.
“Sipas Anketës së Ekonomive Familjare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, një familje në Kosovë, 55 për qind të buxhetit, e bile deri 65 për qind të buxhetit te familjet më të varfra, ju shkon në ushqim. Domethënë, më shumë se gjysma shkon në ushqim”, deklaroi Berisha.
Sipas saj, fakti që qytetarët mund të shihen duke konsumuar apo blerë më shumë nuk duhet të merret automatikisht si dëshmi se mirëqenia e tyre është rritur.
“Na mund të shohim që po blejnë më shumë, por në të njëjtën kohë e ardhmja është shumë e pasigurt për këta, sepse në të njëjtën kohë po rriten pritshmëritë se çka është jeta normale dhe kostot po rriten me konsumin”, tha ajo.
Në diskutimin në “Rrugëtimi”, Berisha e trajtoi mirëqenien jo vetëm në aspektin e të ardhurave mujore, por edhe në raport me sigurinë ekonomike, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe mundësinë që familjet të planifikojnë të ardhmen.
Intervistën e plotë me Brikena Berishën mund ta ndiqni në episodin e tetë të “Rrugëtimit”, prodhim i Telegrafit. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.