Berisha vijon akuzat nga Strasburgu: Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë në Europë, kërkova sanksione ndaj Serbisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcjellë përmes një videomesazhi nga Strasburgu, ku ndodhet për punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, situatën në Shqipëri dhe akuzat ndaj qeverisë Rama.
Berisha u shpreh se fokusi kryesor i tij ka qenë denoncimi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që ka shkaktuar pasoja në ekonomi, bujqësi, industri dhe zhvillimet demografike.
“Qëndrimi im më kryesor ka qenë në denoncimin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri gjatë këtyre viteve, pasojat shkatërrimtare të këtij narkoshteti mbi ekonominë e vendit, zhvlerësimin dramatik të euros dhe dollarit, rënien masive të prodhimit industrial dhe prodhimit bujqësor dhe shokun e tmerrshëm demografik të paprecedent në historinë e Shqipërisë në shekuj”, tha Berisha.
Në videomesazhin e publikuar nga Këshilli i Europës, kreu demokrat ngriti akuza edhe për trafikun ndërkombëtar të drogës, ku sipas tij, Shqipëria është një nga aktorët kryesorë në trafikun e kanabisit drejt Europës dhe transportin e kokainës nga Amerika Latine.
“Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, klanet shqiptare janë transportues kryesorë të kokainës nga Amerika Latine dhe kontrollues të tregut europian. Në këtë kuadër, unë bëra thirrje për mbështetje nga ky institucion në luftën kundër narkoshtetit në Shqipëri, i cili përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe më gjerë”, vijoi kreu demokrat.
Berisha tha se, në Strasburg ka kërkuar mbështetjen e institucioneve europiane në luftën kundër narkoshtetit, duke e paraqitur këtë një problem që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin.
Gjatë videomesazhit të tij, Berisha u ndal edhe te zhvillimet në Serbi, duke komentuar përdorimin e figurës së Ratko Mlladiç në fushatën politike. Ai akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç se po mbështetet politikisht nga elementë të lidhur me të kaluarën e luftërave në rajon dhe kërkoi që ndaj Serbisë të merren masa në raport me Këshillin e Europës.
“Në qëndrimin tim, një vend të rëndësishëm kanë patur edhe diskutimet lidhur me faktin se sot në Beograd fantazmat e Ratko Mlladiç po bëjnë fushatë krah patronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, dhe kjo përbën një fyerje, një rrezik të madh për rajonin, një fyerje të rëndë për mbarë qytetërimin botëror. Kërkova dhe do insistoj që sanksione të qarta të vendosen ndaj Serbisë në raport me Këshillin e Europës, mbasi ky akt vjen në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet themelore. Ratko Mlladiç është orkestruesi dhe kryeautor i gjenocidit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore në Srebrenicë, ai ka kryer krime të rënda në Kroaci dhe në zona të tjera dhe tani bën fushatë përkrah Aleksandër Vuçiçit fshatrat dhe qytetet e Serbisë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.