BERLIN – Protestuesit kundërshtojnë dërgesat e armëve gjermane në Izrael
BERLIN, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Protestuesit u ngjitën me ngjitës në rrugë, para fabrikave të armëve të kompanisë së njohur gjermane ”Rheinmetall”, në shenjë kundërshtimi ndaj dërgesave të armëve gjermane për Izraelin.
Protestat u zhvilluan në disa qytete të vendit, përfshirë Berlinin, Kasselin dhe Kaiserslauternin.
Në lagjen ”Wedding” të Berlinit, disa aktivistë u ngjitën me ngjitës në rrugën përpara ambienteve të kompanisë së mbrojtjes ”Rheinmetall”, mëngjesin e së martës.
Policia u njoftua rreth orës 05:30 dhe ndërhyri për të larguar protestuesit.
Sipas një zëdhënëseje të policisë, nëntë nga 11 pjesëmarrësit ishin ngjitur në asfalt.
Në vendngjarje u angazhuan deri në 90 efektivë policie.
Autoritetet kanë nisur hetime për dyshime për detyrim dhe përdorim të simboleve antikushtetuese gjatë thirrjeve të bëra nga protestuesit.
Grupi “Peacefully Against Genocide” deklaroi se kishte bërë thirrje për aksionin në Berlin, duke kundërshtuar furnizimin e ushtrisë izraelite me armë nga Gjermania.
”Rheinmetall” ka nisur prodhimin e armëve në fillim të këtij viti, në ambientet e ish-kompanisë së furnizimit të industrisë automobilistike ”Pierburg”.
Që prej asaj kohe, objekti është bërë disa herë shënjestër e protestave. Mes aktivistëve që i janë bashkuar më herët demonstratave ishte edhe Greta Thunberg, aktivistja suedeze për klimën.
Aksione të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera.
Në Kassel, shtatë persona bllokuan hyrjen e një fabrike të ”Rheinmetall”, ndërsa policia e shpërndau tubimin e paregjistruar pas rreth një ore e gjysmë. Në Kaiserslautern, 10 aktivistë të moshës 19 deri në 32 vjeç u ngjitën me ngjitës përpara një kompanie armatimesh, ndërsa autoritetet lokale e shpallën zyrtarisht të përfunduar demonstratën.
Ndërkohë, në Neuenburg, në landin jugperëndimor të Baden-Württembergut, 24 persona bllokuan me protesta ulur rrugën e hyrjes së një kompanie. Grupi organizator pretendoi se aksione ishin zhvilluar edhe në fabrikën e ”Rheinmetall” në Neuenburg dhe në filialin ”KS Gleitlager GmbH”, në Sankt Leon-Rot.
Megjithatë, policia në këtë të fundit deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë protestë. Sipas organizatorëve, në aksionet e zhvilluara në disa lande gjermane morën pjesë gjithsej më shumë se 70 persona./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.