BERLIN – Wadephul: Pavarësisht kritikave të Trump, mbështetja amerikane për Ukrainën vazhdon
BERLIN, 14 tetor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë reduktuar mbështetjen për Ukrainën, pavarësisht kritikave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot në Berlin ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
“Unë nuk shoh ndonjë ulje të ndjeshme të mbështetjes amerikane për Ukrainën”, tha Wadephul gjatë një takimi me homologen e tij bullgare, Velislava Petrova-Tchamova.
Ai u shprehu bindjen se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Gjatë natës, Kievi u vu sërish në shënjestër të raketave balistike ruse.
Zelensky shprehu shqetësimin se aleatët e Ukrainës, nuk e kishin paralajmëruar sërish vendin për sulmet përpara se ato të ndodhnin, pa përmendur shprehimisht SHBA-në.
Administrata amerikane ka mohuar akuzat se ka ndërprerë ndarjen e informacioneve të inteligjencës ushtarake me Ukrainën.
Ndërkohë, persona të afërt me Zelensky, kanë akuzuar kompaninë që operon sistemin amerikan të internetit satelitor “Starlink”, se ka kufizuar shërbime të rëndësishme për ushtrinë ukrainase.
Sipas këshilltarit presidencial, Serhii Beskrestnov, këto kufizime kanë çuar në dështimin e disa operacioneve ushtarake.
“Starlink” është një degë e kompanisë “SpaceX”, e cila kontrollohet nga Elon Musk.
Wadephul tha se nuk mund t’i verifikonte këto raportime dhe se Gjermania ishte në kontakt me Ukrainën.
Megjithatë, ai shtoi se SHBA-ja kishte të drejtë të ushtronte presion për nisjen e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se Evropa qëndronte fuqishëm në krah të Ukrainës dhe dëshironte të bënte gjithçka të mundur që bisedimet të zhvilloheshin sa më shpejt.
Sipas tij, as Ukraina dhe as Evropa nuk kanë mungesë vullneti për të negociuar.
Trump deklaroi së fundmi se, sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin dëshironte të arrinte një marrëveshje për armëpushim dhe se Zelensky duhej të bindej që të pranonte gjithashtu një marrëveshje të tillë.
Trump tha se besonte se Putini ishte më i interesuar se Zelensky për të arritur një marrëveshje. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.