Bletët njohin fytyrat, zogjtë kujtojnë mijëra vende: çfarë na mëson inteligjenca e kafshëve
– Inteligjenca e kafshëve, shumë më komplekse nga sa mendojmë: nga bletët që njohin fytyrat te zogjtë që kujtojnë mijëra vende.
Inteligjenca nuk është një aftësi e vetme dhe as një privilegj ekskluziv i njeriut. Bletët mund të dallojnë fytyrat edhe pse kanë më pak se një milion neurone, zogjtë e vegjël mund të kryejnë veprime të numërimit që në ditët e para të jetës, ndërsa disa lloje zogjsh arrijnë të kujtojnë mijëra vende ku kanë fshehur ushqimin, edhe pas disa muajsh.
Këto janë disa prej shembujve që tregojnë se bota shtazore zotëron aftësi njohëse të jashtëzakonshme.
Për Giorgio Vallortigara-n, profesor i neuroshkencës në Universitetin e Trentos dhe studiues prej rreth 40 vitesh i mendjes së kafshëve, kuptimi i këtyre aftësive ndihmon edhe për të kuptuar më mirë funksionimin e mendjes njerëzore.
Vallortigara drejton laboratorin e Njohjes së Kafshëve dhe Neuroshkencës në Universitetin e Trentos dhe do të marrë pjesë në edicionin e pestë të festivalit Pianeta Terra, që zhvillohet në qytetin italian të Luccës.
Veprimtaria, e drejtuar nga Stefano Mancuso dhe e ideuar nga shtëpia botuese Laterza, i kushtohet këtë vit temës së formave të inteligjencës.
Leksioni i tij, me titull “Inteligjenca e kafshëve”, synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si gabimet, paparashikueshmëria dhe madje edhe një dozë e caktuar sjelljeje joefikase mund të ndihmojnë organizmat të mësojnë, të përshtaten dhe të mbijetojnë.
Sipas studiuesit, inteligjenca përkufizohet kryesisht si aftësia për të zgjidhur probleme. Kjo aftësi mund të vlerësohet te kafshët në mënyrë të ngjashme me atë te njerëzit, duke vëzhguar sjelljen e tyre dhe mënyrën se si reagojnë përballë pengesave.
Një shembull është situata kur një kafshë përpiqet të arrijë ushqimin, por përballet me një pengesë që nuk mund ta kapërcejë drejtpërdrejt.
Në këtë rast, ajo duhet të ndryshojë rrugën dhe të largohet përkohësisht nga objektivi, përpara se të gjejë mënyrën për ta arritur atë. Pikërisht aftësia për të kapërcyer impulsin e menjëhershëm dhe për të zgjedhur një zgjidhje alternative përbën një shprehje të inteligjencës.
Vallortigara thekson se nuk ekziston një inteligjencë universale, e aftë për të zgjidhur çdo lloj problemi. Përkundrazi, evolucioni ka krijuar aftësi të specializuara, të përshtatura me nevojat e secilës specie.
Disa kafshë kanë zhvilluar mekanizma të sofistikuar për orientimin në hapësirë, të tjera janë të afta të njohin fytyrat, ndërsa disa zotërojnë aftësi për të vlerësuar sasitë, duke dalluar numrin e gjahut, rivalëve apo partnerëve të mundshëm.
Se këto aftësi funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra dëshmohet edhe nga neurologjia klinike. Dëmtime të kufizuara në zona të caktuara të trurit mund të shkaktojnë humbjen e një aftësie specifike, pa prekur domosdoshmërisht funksionet e tjera.
Një person, për shembull, mund të humbasë aftësinë për të njohur fytyrat, ndërsa vazhdon të funksionojë normalisht në aspekte të tjera.
Këto zbulime tregojnë se inteligjenca është një sistem kompleks aftësish, i formuar gjatë evolucionit për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshme të jetës.
Studimi i kafshëve, për rrjedhojë, nuk na ndihmon vetëm të kuptojmë botën e tyre, por ofron edhe të dhëna të rëndësishme për mënyrën se si është zhvilluar dhe organizuar mendja njerëzore.
Çfarë i ndodh një kafshe kur has një gabim ose diçka të papritur?
E njëjta gjë që na ndodh edhe neve: ajo habitet.
Dhe kjo është pikërisht një nga teknikat që përdorim për të eksploruar mendjen e atyre që nuk mund të na flasin – pra, kafshëve dhe fëmijëve të vegjël.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.