“Blutë” e detit, “Delta Force”, 24 orë kontroll përgjatë brigjeve shqiptare
Njësia e “Delta Force” është në gatishmëri 24 orë në 24, për ndihmuar pushuesi si në tokë edhe në det, ku gjatë sezonit turistik nuk mungojnë incidentet apo emergjenca të ndryshme.
“Rast klasik ishin dy mjete të parkuara pranë vendit të quajtur “Jonufra”. Për shkak të kohës së keqe dhe pamundësisë së pronarëve të mjeteve lundruese për t’i lëvizur, pasi pati një ndryshim të menjëhershëm të motit, ato u përmbysën. Ne morëm sinjalin se aty mund të kishte edhe njerëz që kërkon ndihmë dhe në kohë rekord u arrit të shkohej në vendin e ngjarjes”, shprehe Albert Nushi, shef i njësisë “Delta Force”.
Në repartin e “Delta Force” të bie në sy edhe një grup i “Guarda di Finanza”-s italiane. Ata patrullojnë herë pas herë me mjetet e tyre, por të shoqëruar nga një efektiv shqiptar në bazë të marrëveshjes dhe procedurave përkatëse. Ata thonë se kanë bashkëpunim të shumë të mirë me palën shqiptare.
Këtë vit në bregdetin e jugut janë ngritur edhe disa stacione policore të përkohshme, për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit.
“Është ndarë bregdeti në 10 zona, të cilat funksionojnë si minikomisariate duke marrë të dyja drejtoritë detyrime. Nga fillimi i sezonit deri më sot kemi 19 gjoba, mjete të bllokuara dhe sekuestruara. Njëkohësisht 25 raste me 48 persona që kemi dhënë ndihmë të pushuesve në det”, thotë Gëzim Zhupaj, drejtor për kufirin dhe migracionin, Vlorë.
Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare dhe njësisë “Delta Force” për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në rase emergjencash koordinohen në bashkëpunim edhe më qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare.