BM – Një ushtarak i lartë amerikan arrestohet me dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë
LONDËR, 11 nëntor /ATSH-DPA/ – Një ushtarak i lartë amerikan është arrestuar në BM nën dyshimin për vepra që cenojnë sigurinë kombëtare dhe që lidhen me Rusinë, njoftoi policia britanike.
Sipas FBI-së, rasti përfshin akuza për spiunazh.
41-vjeçari u ndalua pranë Gloucesterit, në Anglinë jugperëndimore, pas një hetimi në të cilin morën pjesë policia britanike kundër terrorizmit, autoritetet amerikane, ushtria amerikane dhe FBI-ja.
Ai u arrestua nën dyshimin për shkelje të neneve 1 dhe 3 të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023 (National Security Act 2023) dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në një stacion policor në Londër.
Oficerët po kontrollojnë dy vendndodhje në qarkun e Gloucestershireit.
Policia britanike deklaroi se akuzat lidhen me Rusinë.
Gjeneralbrigade Sean Stinchon, kreu i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, e përshkroi të dyshuarin si një ushtarak të lartë, të cilit i ishte besuar informacion i ndjeshëm.
“Sjellja e pretenduar e një ushtaraku të lartë, të cilit i ishte besuar informacion i ndjeshëm, shërben si një kujtesë serioze se kërcënimet nga brenda sistemit janë reale dhe të vazhdueshme”, tha ai.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, u shpreh se “ky arrestim i rëndësishëm lidhet me akuza për spiunazh, çka përbën një shqetësim madhor për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”.
Ai falënderoi për punën e tyre policinë britanike kundër terrorizmit, shërbimin e brendshëm të inteligjencës MI5, zyrtarët britanikë të kundërzbulimit në fushën e mbrojtjes, si dhe Komandën e Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane.
Vicki Evans, koordinatorja e lartë kombëtare britanike për policimin kundër terrorizmit, tha se ”arrestimi erdhi si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë midis autoriteteve britanike dhe atyre amerikane”.
“Akuzat janë serioze dhe hetimet tona vazhdojnë”, tha ajo.
Hetimi po drejtohet nga njësia e policisë së Londrës kundër terrorizmit./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.