BM – Rritet numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shëndetin mendor
LONDËR, 2 shtator /ATSH – AA/ – Numri i fëmijëve që paraqiten në departamentet e urgjencës në Angli me shqetësime të shëndetit mendor është rritur 36 për qind që nga viti 2019, njoftoi sot Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve.
Raporti thekson se rritja më e mprehtë është vënë re tek fëmijët e moshës 6 deri në 9 vjeç, duke cituar të dhëna nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar.
Numri i frekuentimeve të lidhura me shëndetin mendor u rrit nga 55.525 në 2019 në 75.491 në 2025 midis fëmijëve dhe të rinjve të moshës gjashtë deri në 17-vjeç, sipas shifrave të marra nga kolegji përmes një kërkese për Lirinë e Informacionit të paraqitur në NHS Angli.
Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve i kërkoi qeverisë të përcaktojë urgjentisht se si do t’i japë përparësi shëndetit mendor të fëmijëve. “Ky zbulim është veçanërisht shqetësues duke pasur parasysh natyrën e pambrojtur të zhvillimit neurologjik të fëmijëve të vegjël dhe potencialin e vuajtjes në planin afatgjatë për këta fëmijë pa ndërhyrje të hershme”, thuhet në raport.
Numri i fëmijëve dhe të rinjve që qëndrojnë më shumë se 12 orë në departamentet e urgjencës u rrit 217 për qind nga 1.964 në 2019 në 6.235 në 2025, thuhet në raport. Numri i qëndrimit më shumë se 72 orë u rrit 514 për qind, nga 55 në 2019 në 338 në 2025, shtoi ai.
Kolegji tha se shifrat tregojnë për një sistem nën “tension në rritje” në kujdesin urgjent, shëndetin mendor, komunitetin dhe shërbimet e kujdesit social.
“Sistemi ynë shëndetësor është nën presion në rritje. Më shumë fëmijë po arrijnë pikën e krizës dhe kur e arrijnë, ata presin më gjatë, shpesh shumë më gjatë, për të marrë ndihmën që u nevojitet, pavarësisht përpjekjeve më të mira të pediatërve për t’u kujdesur për këta fëmijë”, tha Sam Jones, oficer i RCPCH-së për shëndetin mendor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.