BM – Shtëpia e princit dhe princeshës së Uellsit bie “pre” e vjedhjes, arrestohen dy persona
– Dy persona janë arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paligjshme në pronën e princit William dhe princeshës Catherine, në një nga rezidencat e tyre në Anglinë lindore, njoftoi policia britanike, sipas “Reuters”.
Policia bëri të ditur se efektivët u thirrën para orës 18:00 të së hënës, pas një raportimi për lëvizje të dyshimta në pronën në territorin e rezidencës mbretërore Sandringham, në qarkun Norfolk.
Pas mbërritjes në vendngjarje, policia angazhoi mjete dhe burime të specializuara për kontrollet në zonë, përfshirë qen policie, dronë dhe një helikopter të Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore.
Dy persona u arrestuan në territorin e pronës, nën dyshimin për vjedhje dhe shkelje të pronës private.
Ata vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen janë në zhvillim.
Sipas policisë, prona ishte e pabanuar në momentin e incidentit.
Nuk ka raportime se pjesëtarë të familjes mbretërore ndodheshin aty, në kohën e ngjarjes.
Mediet britanike raportojnë se bëhet fjalë për Anmer Hall, një rezidencë dhjetëdhomëshe në pronën Sandringham, të cilën mbretëresha e ndjerë, Elizabeth II ia dhuroi princit William dhe bashkëshortes së tij, si dhuratë martese në vitin 2011.
Çifti e përdor këtë rezidencë, si shtëpi pushimi dhe për qëndrime të shkurtra, ndërsa banesa e tyre kryesore, ndodhet në pronën mbretërore të Windsor-it.
Ngjarja vjen pas disa incidenteve të mëparshme të sigurisë në pronat mbretërore britanike.
Në vitin 2024, persona të paidentifikuar hynë në territorin e kështjellës Windsor dhe vodhën një automjet dhe një motor katërrotësh nga një fermë, ndërsa familja e princit William ndodhej në një banesë aty pranë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.