BRUKSEL – BE-ja dhe Filipinet arrijnë marrëveshje të gjerë për tregtinë e lirë
BRUKSEL, 22 shtator /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian dhe Filipinet kanë arritur një marrëveshje të gjerë për një marrëveshje tregtie të lirë, njoftoi sot Komisioni Evropian.
Negociatat pritet të përfundojnë gjatë muajve të ardhshëm.
Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic deklaroi sot se të dyja palët kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme, e cila synon të krijojë më shumë mundësi për kompanitë dhe investitorët.
Sipas tij, marrëveshja do të heqë ose reduktojë pengesat për tregtinë dhe investimet, do t’u krijojë kompanive evropiane mundësi të reja, për të shitur produktet e tyre në Filipine dhe do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy palëve.
Në vitin 2025, BE-ja dhe Filipinet tregtuan mallra me vlerë 17,6 miliardë euro.
Ndërsa në vitin 2024, tregtia e shërbimeve arriti në 10,3 miliardë euro.
Komisioni Evropian theksoi se Filipinet, me rreth 113 milionë banorë, përbëjnë një treg të rëndësishëm për kompanitë evropiane.
Marrëveshja pritet të lehtësojë 97% të tregtisë mes BE-së dhe Filipineve, përfshirë eksportet evropiane të produkteve industriale dhe të disa produkteve bujqësore.
BE-ja eksporton në Filipine sasi të mëdha makinerish, pajisjesh transporti, barnash dhe pajisjesh mjekësore.
Marrëveshja pritet gjithashtu, të përcaktojë më qartë rregullat për kontratat që japin institucionet shtetërore dhe të forcojë mbrojtjen e pronësisë intelektuale, si patentat, markat dhe krijimet e kompanive. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.