BRUKSEL – BE ndalon municionet me bazë plumbi për armët e gjahut
BRUKSEL, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian ka miratuar sot një masë të re që parashikon ndalimin e përdorimit dhe shitjes së municioneve të armëve të gjahut që përmbajnë plumb, me synimin për të reduktuar ndotjen dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, kafshët dhe mjedisin.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në vitin 2033.
Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare nuk kanë paraqitur kundërshtime ndaj kësaj mase, duke i hapur rrugën zbatimit të saj.
Ndalimi do të përfshijë municionet e armëve të gjahut që përmbajnë të paktën 1% plumb.
Pas hyrjes në fuqi të rregullores, këto municione nuk do të mund të përdoren apo të shiten për qëllime gjuetie dhe qitjeje sportive.
Megjithatë, kufizimet nuk do të zbatohen për municionet që përdoren për qëllime ushtarake.
Komisioni Evropian thekson se ky përjashtim synon të garantojë që kapacitetet mbrojtëse të vendeve anëtare të mos cenohen.
Sipas përllogaritjeve të Komisionit, zbatimi i kësaj mase pritet të parandalojë ndotjen me rreth 550 mijë tonë plumb gjatë 20 viteve të ardhshme.
Gjithashtu, parashikohet që rreth 1,1 milion fëmijë të mbrohen nga efektet e dëmshme të ekspozimit ndaj plumbit, i cili mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e sistemit nervor.
Komisioni vlerëson gjithashtu se masa do të ndihmojë në mbrojtjen e rreth 156 milionë zogjve, pasi plumbat e përdorur në gjueti mund të ndotin tokën, ujin dhe mishin e kafshëve të gjahut./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.