BRUKSEL – BE ul 7% konsumin e gazit për shkak të rezervave të pakta
Paralajmërimi vjen nga Instituti për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA), i cili vlerëson se Evropa mund të përballet me vështirësi në furnizim nëse temperaturat bien ndjeshëm.
Sipas një raporti depozitat e gazit në BE ishin të mbushura në masën 72,4%. Nga nëntori deri në mars, ato mund të sigurojnë 7,3 miliardë metra kub gaz më pak se dimrin e kaluar.
Në total, Evropa mund të duhet të konsumojë 14 miliardë metra kub më pak gaz. Megjithatë, IEEFA thekson se kjo nuk do të thotë se rezervat do të shterojnë plotësisht, por nivelet e ulëta mund të krijojnë probleme gjatë një vale të ftohti në fund të dimrit.
Situata vështirësohet edhe nga ndalimi i plotë i importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia, i planifikuar për janarin 2027.
Ndërkohë, lufta mes SHBA-së dhe Iranit ka rritur çmimet e energjisë dhe ka ndërprerë transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, ku kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të LNG-së.
Sipas IEEFA-s, plotësimi i mungesës përmes importeve shtesë mund t’i kushtojë BE-së rreth 3,0 miliardë euro, 12% më shumë se një vit më parë.
Çmimet e gazit në bursën holandeze TTF, treguesi kryesor për tregun evropian, arritën në 84,5 euro për megavat-orë në mesin e shtatorit, niveli më i lartë që nga viti 2022.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se që nga fundi i shkurtit, importet e lëndëve djegëse fosile i kanë kushtuar BE-së 100 miliardë euro shtesë.
Operatorët evropianë të rrjeteve të gazit paralajmërojnë se një dimër i ashpër mund të krijojë një mungesë deri në 15% të nevojave për gaz.
Për të përballuar situatën, disa vende kanë ndërmarrë masa për rritjen e rezervave.
Holanda ka miratuar deri në 993 milionë euro për kompaninë shtetërore EBN, Gjermania i ka kërkuar importuesit SEFE të depozitojë 8 teravat-orë gaz deri më 15 dhjetor, ndërsa Spanja ka rritur me mbi 25% sasinë e LNG-së në terminalet e saj të importit.
Konsumi i gazit në BE ra nga 222 miliardë metra kub në dimrin 2021–2022 në 185 miliardë një vit më pas, por gjatë dy dimrave të fundit është rikthyer në rreth 200 miliardë metra kub në vit.
IEEFA paralajmëron se mundësitë për kursime të mëtejshme po pakësohen dhe se mbushja e depozitave është bërë më pak fitimprurëse për shkak të luhatjeve të çmimeve.
Në vend të investimeve të mëdha në kapacitete të reja magazinimi të gazit, organizata rekomandon zgjerimin e energjisë së rinovueshme, përdorimin e pompave të nxehtësisë, elektrifikimin e industrisë dhe përmirësimin e eficiencës energjetike.
Këto masa synojnë të ulin kërkesën gjatë dimrit dhe të pakësojnë varësinë e Evropës nga importet e kushtueshme të gazit. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.