BRUKSEL – Komisioni Evropian goditet nga sulme kibernetike të realizuara me IA
BRUKSEL, 19 nëntor /ATSH-DPA/– Komisioni Evropian është përballur gjatë javëve të fundit, me një fushatë sulmesh kibernetike të realizuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (IA), konfirmoi sot një zëdhënës i institucionit.
“Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në zbulimin e dobësive dhe parandalimin e sulmeve kibernetike, por mund të keqpërdoret edhe për operacione të tilla”, u tha gazetarëve në Bruksel, zëdhënësi i BE-së.
“Si masë mbrojtëse dhe parandaluese, ne çaktivizuam përkohësisht, disa aplikacione dhe shumica e tyre janë rikthyer tashmë në funksion”, shtoi ai.
Zëdhënësi theksoi se deri tani, nuk janë konstatuar prova për publikim të paautorizuar të të dhënave, që të ketë prekur në tërësi stafin e Komisionit Evropian.
Hetimet për fushatën, e cila u zbulua në fund të tetorit, mbeten në vazhdim. Zëdhënësi nuk pranoi të komentojë se kush mund të jetë përgjegjës për serinë e incidenteve.
Ai tha gjithashtu se nuk ka informacion për ndonjë kërkesë për pagesë shpërblimi nga autorët e sulmeve, në këmbim të mos publikimit apo rikthimit të të dhënave të bllokuara. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.