BRUKSEL – Komisioni Evropian propozon një kredi shtesë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën në vitin 2027
BRUKSEL, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Komisioni Europian planifikon t’i japë Ukrainës 45 miliardë euro kredi shtesë në vitin 2027, për të mbështetur financat e vendit dhe përpjekjet e tij mbrojtëse përballë agresionit rus, njoftoi sot presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Ne i kemi ofruar Ukrainës mbështetje jetike gjatë gjithë kësaj lufte dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë vendin, të mbrojë qytetarët dhe infrastrukturën e tij nga sulmet ruse”, deklaroi Von der Leyen.
Sipas propozimit, kredia do të ndahet në dy pjesë, 20 miliardë euro do të përdoren për mbështetjen e buxhetit të shtetit ukrainas, ndërsa 25 miliardë euro do të shkojnë për ndihmë ushtarake.
Propozimi vjen në një kohë kur Ukraina përballet me një mungesë të vlerësuar prej 70 miliardë eurosh, në financimin e nevojshëm për vitin e ardhshëm, ndërsa lufta e nisur nga Rusia vijon të ushtrojë presion të madh mbi financat dhe kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Kredia e propozuar do të garantohet nga buxheti i BE-së, duke i mundësuar Bashkimit Evropian, të marrë hua në tregjet financiare ndërkombëtare.
“Ajo synon të mbulojë rreth dy të tretat e deficitit të financimit të Ukrainës”, tha komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.
“Ukraina do të jetë e detyruar ta shlyejë kredinë, në rast se merr dëmshpërblime nga Rusia për dëmet e shkaktuara nga lufta”, theksoi ai.
Komisioni Evropian synon gjithashtu, të nxisë partnerët ndërkombëtarë të BE-së të kontribuojnë për mbulimin e pjesës së mbetur, të nevojave financiare të Ukrainës.
Kjo ndihmë prej 45 miliardë eurosh do t’i shtohet paketës ekzistuese prej 90 miliardë eurosh, të miratuar për mbështetjen e Ukrainës gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Që nga nisja e pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022, Bashkimi Evropian ka mobilizuar më shumë se 235 miliardë euro ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet ta diskutojnë propozimin gjatë samitit që do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.