☀️
Tiranë 17°C · Kthjellët 05 Nëntor 2026
S&P 500 7,689 ▲1.58%
DOW 53,356 ▲3.03%
NASDAQ 25,737 ▲1.44%
NAFTA 88.70 ▲0.66%
ARI 4,134 ▲1.49%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694 EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694
₿ CRYPTO
BTC $80,357 ▲ +2.18% ETH $2,417 ▲ +3.68% XRP $1.3180 ▲ +1.89% SOL $96.6400 ▲ +3.09%
S&P 500 7,689 ▲1.58 % DOW 53,356 ▲3.03 % NASDAQ 25,737 ▲1.44 % NAFTA 88.70 ▲0.66 % ARI 4,134 ▲1.49 % S&P 500 7,689 ▲1.58 % DOW 53,356 ▲3.03 % NASDAQ 25,737 ▲1.44 % NAFTA 88.70 ▲0.66 % ARI 4,134 ▲1.49 %
EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694 EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694
05 Nën 2026
Breaking
Bota

BUDAPEST – Dosjet sekrete trondisin Hungarinë, dalin emrat e mijëra spiunëve të komunizmit

– Hungaria ka bërë publike dhjetëra mijëra dokumente të policisë sekrete të periudhës komuniste, duke mundësuar për herë të parë, në mënyrë të gjerë qasjen në të dhënat për rrjetin e informatorëve që spiunonin qytetarët gjatë regjimit njëpartiak, sipas “Reuters”.

Nisma u ndërmor nga qeveria e kryeministrit Peter Magyar, si pjesë e angazhimit për të zbardhur të kaluarën komuniste të vendit, më shumë se 36 vjet pas rënies së këtij sistemi.

Magyar deklaroi se tashmë janë bërë të kërkueshëm rreth 60 mijë emra të personave, të lidhur me ish-shërbimet e sigurisë së shtetit.

“Po përmbushim, pas 36 vjetësh, atë që ishte një nga premtimet e ndryshimit të regjimit”, deklaroi ai gjatë një takimi me gazetarët në arkivin e shërbimeve të sigurisë.

Sipas kryeministrit, kufizimet për qasjen në këto dokumente për disa dekada me radhë, kishin krijuar mundësi për shantazh, presion politik dhe heshtjen e personave, që mund të kishin informacione për të kaluarën.

Një bazë të dhënash e digjitalizuar dhe e aksesueshme për publikun, u vu në funksion mëngjesin e djeshëm, duke u mundësuar qytetarëve të kërkojnë emra të personave të lidhur me ish-shërbimet sekrete.

Dokumentet përfshijnë emra politikanësh, klerikësh dhe personazhesh televizivë.

Megjithatë, drejtuesi i arkivit, Gergo Bendeguz Cseh, theksoi se një pjesë e madhe e informatorëve ishin njerëz që nuk kishin pasur ndonjë rol të njohur në jetën publike të vendit.

Ai sqaroi se dokumentet përmbajnë disa kategori të dhënash, përfshirë regjistrimet e anëtarëve të rrjetit të informatorëve, të dhënat personale, emrat e koduar dhe informacionet mbi mënyrën dhe rrethanat e rekrutimit të tyre.

Një pjesë e dokumenteve të tjera, që përmbajnë të dhëna më të hollësishme për rreth 9 mijë informatorë, pritet të bëhet publike në shkurt 2027.

Rreth 150 mijë informatorë gjatë regjimit komunist

Hungaria ishte nën regjimin komunist njëpartiak nga viti 1949 deri në vitin 1989, periudhë gjatë së cilës, autoritetet përdorën një rrjet të gjerë informatorësh, për të mbikëqyrur qytetarët dhe për të identifikuar qëndrimet kundërshtuese ndaj regjimit.

Sipas vlerësimeve të arkivit të shërbimeve të sigurisë, gjatë katër dekadave të regjimit komunist janë përdorur rreth 150 mijë informatorë.

Ata raportonin për kolegët, miqtë dhe madje edhe familjarët e tyre, duke informuar autoritetet për qëndrimet që konsideroheshin kundërshtuese ndaj pushtetit.

Shumë persona ishin rekrutuar përmes kërcënimeve, shantazhit ose premtimeve për shpërblime.

Megjithatë, emrat e vetëm rreth një të tretës së informatorëve janë të njohur, ndërsa dokumentacioni i hollësishëm ekziston vetëm për një pjesë të vogël të tyre.

Një numër i madh dosjesh u shkatërruan gjatë kryengritjes antikomuniste të vitit 1956 dhe gjatë periudhës së ndryshimit të regjimit në vitet 1989-1990.

Drejtuesi i arkivit, Cseh, paralajmëroi gjithashtu se përmbajtja e dokumenteve nuk duhet konsideruar automatikisht e saktë dhe e plotë, pasi shumë prej tyre kanë mangësi dhe informacione të paplota.

Debate për hapjen e dosjeve prej më shumë se tri dekadash

Hapja e arkivave të policisë sekrete, ka qenë një çështje e debatueshme në politikën hungareze, që prej rënies së komunizmit.

Për vite me radhë, qeveritë e njëpasnjëshme nuk arritën të mundësonin qasje të plotë për publikun, ndërsa kritikët i akuzonin për mungesë vullneti politik, për të zbardhur lidhjet e mundshme të figurave publike me ish-shërbimet sekrete.

Në vitin 2002, vetëm pak javë pasi mori detyrën si kryeministër, politikani socialist Peter Medgyessy u përfshi në një skandal, pasi u zbulua se kishte punuar si agjent i shërbimeve sekrete gjatë periudhës komuniste.

Ngjarja nxiti kërkesa të reja për transparencë dhe në vitin 2003 parlamenti miratoi një ligj që u mundësonte personave të mbikëqyrur, të mësonin se kush kishte raportuar për ta.

Megjithatë, qasja më e gjerë në dokumente mbeti e kufizuar kryesisht, për studiuesit dhe personat që kërkonin informacion për veten ose familjarët e afërt.

Përpara publikimit të dosjeve, në Hungari ishin rikthyer edhe zërat se ish-kryeministri Viktor Orban, kishte qenë informator gjatë periudhës së shërbimit ushtarak.

Orban deklaroi të martën se shërbimet sekrete komuniste, ishin përpjekur ta rekrutonin, por ai kishte refuzuar. Emri i tij nuk rezulton në arkivin e publikuar.

Ndërkohë, qeveria ka paralajmëruar ngritjen e linjave telefonike për mbështetje psikologjike dhe këshillim për personat dhe familjet që mund të preken nga zbulimet.

Magyar u bëri thirrje qytetarëve që t’i trajtojnë informacionet e publikuara me dinjitet dhe njerëzi, pasi shumë familje mund të përballen me të dhëna të vështira për t’u pranuar, veçanërisht kur ato lidhen me familjarë që nuk jetojnë më.

Ai theksoi se përballja me traumat e së kaluarës, kërkon diskutim të hapur dhe transparencë.

Historiani Laszlo Eorsi e cilësoi publikimin si një hap të vonuar, por të nevojshëm, duke theksuar se dokumentet do të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të mënyrës se si funksiononte aparati i sigurisë së regjimit komunist.

Megjithatë, historianët paralajmërojnë se prania e një emri në listat e informatorëve, nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi ka bashkëpunuar aktivisht me autoritetet apo ka dorëzuar raporte.

Disa persona, ndonëse ishin rekrutuar, nuk kishin raportuar për të tjerët dhe madje kishin ndërmarrë rreziqe për të kundërshtuar regjimin. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.