Ditari nuk është procesverbal!
Nga Ylli Manjani
Erion Veliaj është absolutisht në të drejtën e tij të shfryjë mllefin ndaj Edi Ramës dhe kujtdo tjetër që mendon se i ka bërë padrejtësi. Është po aq në të drejtën e tij të përpiqet të jetë aktiv në jetën publike, madje edhe të bëjë politikë, pavarësisht vështirësive që krijon izolimi në burg.
Nuk është aspak e lehtë ta shohësh veten në burg pas një kallëzimi të bërë nga një anonim me emrin Nesti Angoni. Nesti mund të jetë kushdo. Por Veliaj ka gjithë të drejtën të dyshojë se pas këtij anonimati fshihen emra konkretë, të cilët mund të kenë ndikuar në nisjen e një procesi që përfundoi me izolimin e tij nga drejtësia jonë e pavarur, por jo domosdoshmërisht e paanshme.
Deri këtu, asgjë shtesë për t’u diskutuar.
Edhe mjetet që Veliaj përdor për të reaguar janë zgjedhja e tij. Një ditar i shkruar me dorë, komunikimet përmes avokatit, polemikat për transferimin në burg, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe, së fundmi, një takim me ministrin e Drejtësisë dhe mikun e tij, Toni Gogu.
Pavarësisht izolimit, Veliaj ka siguruar hapësirë të konsiderueshme mediatike për të artikuluar qëndrimet e tij. Pra, për të bërë politikën e vet.
Mirëpo problemi fillon aty ku rrëfimi personal kërkon të marrë vlerën e së vërtetës së provuar.
Fjala vjen, nga publikimi i disa faqeve të ditarit të tij është krijuar përshtypja se ministri Toni Gogu ka shkuar në burg për ta kërcënuar apo shantazhuar.
Unë nuk e vë dorën në zjarr për asnjë skenar të mundshëm të asaj bisede. As për versionin e Veliajt dhe as për ndonjë version tjetër.
Por disa pyetje logjike besoj se lejohen.
Së pari, askush nuk është i detyruar të presë një vizitor në burg, qoftë ky edhe ministër. Veliaj e ka pranuar takimin, ka biseduar me Gogun për gati dy orë dhe, me sa është bërë publike, takimi ka përfunduar pa ndonjë incident. As ditari nuk pretendon se është marrë me forcë për të takuar ministrin…
Natyrisht, kohëzgjatja e një takimi nuk përjashton mundësinë e kërcënimit. Por as nuk e provon atë. Madje, një bisedë dyorëshe të shtyn të pyesësh nëse kemi pasur një kërcënim të njëanshëm apo një diskutim ku janë shkëmbyer qëndrime, kërkesa, kundërshtime dhe ndoshta edhe propozime. Nga ana tjetër, pyetja tjetër llogjike është, si mund të rrish për gati 2 orën nën kërcënim apo shantazh?! Sepse, ose të ka pëlqyer kërcënimi ose ska patur një gjë të tillë!
Sidoqoftë, në një bisedë dyorëshe, normalisht, flasin dy veta! Dhe pikërisht këtu fillon problemi i dytë.
Disa faqe blloku, të shkruara nga njëri prej bashkëbiseduesve pas takimit, na paraqiten si dëshmi autentike e asaj që ka ndodhur brenda tij.
Vetë Veliaj i quan ditar. Pra, shënime personale të hedhura pas ngjarjes. Mirëpo ditari dëshmon çfarë autori ka zgjedhur të shkruajë, jo domosdoshmërisht gjithçka që ka ndodhur.
Ai mund të jetë i sinqertë. Mund të jetë i saktë. Mund të përmbajë edhe fjalë të thëna realisht. Por asnjëra prej këtyre mundësive nuk e shndërron automatikisht në procesverbal të një bisede.
Dhe mbi të gjitha, ku janë fjalët e bashkëbiseduesit tjetër? Ku janë përgjigjet, kundërshtimet, konteksti i plotë i diskutimit?
Nëse synon të bindësh publikun se je kërcënuar apo shantazhuar, nuk mjafton të publikosh vetëm ato pjesë të bisedës që mbështesin përfundimin tënd.
Duhet të japësh sa më të plotë edhe kontekstin. Përndryshe, publikut nuk i ofron një bisedë, por interpretimin tënd për të. Dhe interpretimi, sado i sinqertë, nuk është provë e mjaftueshme për të vërtetuar një akuzë.
E njëjta logjikë vlen edhe për akuzat politike ndaj Edi Ramës.
Veliaj është plotësisht në të drejtën e tij të përplaset politikisht me njeriun që e promovoi në politikë. Madje, në këtë përballje, i shkoftë mbarë!
Por e drejta për të akuzuar nuk e çliron nga nevoja për të argumentuar. Për shembull, unë e kam të vështirë të besoj se Edi Rama zgjodhi pikërisht këtë moment, rreth gjashtë muaj përpara zgjedhjeve, për të shprehur një armiqësi të organizuar ndaj Veliajt.
Nëse qëllimi do të ishte thjesht goditja politike e tij, përse të mos ndodhte një vit më parë? Apo qoftë edhe gjashtë muaj më parë? Do të kishte pasur më shumë kohë që konflikti të konsumohej dhe pasojat politike të zbeheshin përpara zgjedhjeve.
Sigurisht, mund të ketë edhe një llogari tjetër politike që unë nuk e njoh. Mundet që Ramës t’i interesojë pikërisht tani kjo përplasje. Nuk e përjashtoj. Por një hipotezë nuk bëhet fakt vetëm sepse tingëllon e besueshme për atë që e artikulon.
Dhe këtu qëndron dallimi thelbësor mes të drejtës së Veliajt për të reaguar dhe detyrimit të publikut spektator për t’i besuar.
Ai ka të drejtë të zemërohet. Ka të drejtë të dyshojë. Ka të drejtë të akuzojë. Ka të drejtë të shkruajë ditar dhe ta publikojë atë. Por publiku spektator ka po aq të drejtë të kërkojë fakte përpara se t’i pranojë akuzat si të vërteta.
Madje, ky është një standard që duhet ta kërkojmë edhe nga drejtësia kur akuzon vetë Veliajn. Nuk mund të kërkojmë prova nga prokuroria për akuzat ndaj tij dhe të mjaftohemi me përshtypje për akuzat që ai ngre ndaj të tjerëve.
Standardi i provës nuk mund të ndryshojë sipas simpatisë për akuzuesin. Prandaj nuk kam asnjë arsye të vë në dyshim të drejtën e Erion Veliajt për të mbajtur ditar, për të shprehur mllef apo për të bërë politikë nga burgu.
Kam vetëm një rezervë. Të mos na kërkohet ta lexojmë ditarin si procesverbal.
Sepse ditari është rrëfim personal. Procesverbali është dokumentim i një ngjarjeje. I pari na tregon çfarë mendon dhe çfarë pretendon autori. I dyti synon të dokumentojë çfarë ka ndodhur.
Dhe mes asaj që pretendohet se ka ndodhur dhe asaj që provohet se ka ndodhur, qëndron i gjithë dallimi mes propagandës dhe së vërtetës.
Ditari nuk është procesverbal. Dhe mllefi, sado i kuptueshëm, nuk është provë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.