PARIS – Hakerat sulmojnë bankën franceze, zhduken rreth 100 milionë dollarë
PARIS, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Banka franceze “Crédit Mutuel Arkéa” është bërë objekt i një sulmi kibernetik, përmes të cilit janë kryer transferta të paligjshme në vlerën e rreth 100 milionë eurove (112 milionë dollarë).
Banka rajonale franceze bëri të ditur se sulmuesit arritën të hynin në llogaritë e institucionit dhe të transferonin shuma të konsiderueshme parash drejt bankave të tjera.
Sipas saj, sulmi është neutralizuar dhe llogaritë e klientëve nuk janë prekur, ndaj ata nuk kanë pësuar humbje financiare.
Sipas bankës, paratë e transferuara janë konvertuar më pas në kriptomonedha përmes platformave të specializuara.
Një pjesë e fondeve është bllokuar, ndërsa po vijojnë përpjekjet për rikuperimin e pjesës tjetër.
Drejtuesit e institucionit përjashtuan mundësinë që transfertat të jenë shkaktuar nga gabime njerëzore, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të sofistikuar nga jashtë.
Banka nuk dha hollësi mbi mënyrën se si u realizua sulmi dhe as për identitetin e personave apo grupit që mund të qëndrojë pas tij.
Prokuroria e Parisit konfirmoi për AFP-në se ka nisur një hetim zyrtar për ngjarjen, e cila po trajtohet si sulm ndaj një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave, i kryer nga një grup i organizuar.
Gazeta franceze “Le Télégramme” raportoi fillimisht për humbje që mund të arrinin në 133 milionë dollarë, por banka nuk e konfirmoi këtë shifër.
Ajo pranoi megjithatë përmasat e konsiderueshme të dëmit, duke theksuar se vlera përfundimtare është ende duke u vlerësuar.
Institucioni siguroi se humbjet nuk përbëjnë kërcënim për qëndrueshmërinë e tij financiare.
Në gjysmën e parë të vitit, banka kishte regjistruar një fitim neto prej 230 milionë eurosh.
Sulmi u bë publik fillimisht nga “ZachXBT”, një hetues i pavarur që merret me gjurmimin e transaksioneve në teknologjinë “blockchain”, sistemin ku regjistrohen transaksionet e kriptomonedhave.
Sipas tij, fondet e vjedhura ishin shpërndarë përmes disa llogarive të hapura në platformat e këmbimit të kriptomonedhave. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.