Revizioni shtetëror: Hekurudhat e infrastrukturës me humbje të grumbulluara 76,6 milionë euro dhe shina të vjetruara
Enti Shtetëror i Revizionit gjeti vonesa dekadash në Korridorin 8, 7,78 milionë euro provizione për kredi të patërhequra dhe vetëm 54 për qind të vendeve të punës të plotësuara në ndërmarrjen e infrastrukturës hekurudhore.
Ndërmarrja publike për infrastrukturë hekurudhore ZHRSM Infrastruktura Shkup prej vitesh punon në mënyrë të vazhdueshme me rezultat negativ financiar, gjë që ndikon në mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, tregon raporti i ri i Entit Shtetëror të Revizionit, siç njofton Fokus.
Revizioni i pasqyrave financiare dhe i përputhshmërisë së punës për vitin 2024 konstatoi se humbja vetëm për atë vit ishte 188,8 milionë denarë, mbi tre milionë euro, ndërsa bashkë me humbjen e bartur nga vitet e kaluara, shuma e përgjithshme arrin 4,72 miliardë denarë, ose 76,6 milionë euro. Pjesa më e madhe e mjeteve materiale në përgatitje, rreth 144 milionë euro, janë projekte në vazhdim, si ndërtimi i dy akseve të hekurudhës nga Kumanova drejt Kriva Pallankës, të financuara me kredi ndërkombëtare.
Sipas raportimit të Fokus për gjetjet e revizorëve, për rehabilitimin, ndërtimin dhe rindërtimin e infrastrukturës hekurudhore janë miratuar kredi në shumë të përgjithshme prej 191,4 milionë eurosh, nga të cilat 44 për qind ende nuk janë tërhequr. Për shkak të kësaj, deri në fund të vitit 2024 janë paguar 7,78 milionë euro provizione për mjete të patërhequra, shumica për kredinë e Korridorit 8 – Faza 2, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 për kamata janë paguar 2,85 milionë euro.
Revizorët konstatuan mungesë qasjeje sistematike në planifikimin e akseve 1 dhe 2 të pjesës lindore të Korridorit 8 hekurudhor, ndërtimi i të cilit zgjat që nga viti 1996. Vlera e kontratës për aksin numër 1 është rritur për 96 për qind, ndërsa afati i përfundimit është shtyrë për tetë vjet e tre muaj për shkak të gabimeve në dokumentacionin projektues. Për aksin numër 2, kontrata e ndërtimit me vlerë 155 milionë euro u nënshkrua në korrik të vitit 2022, tetëmbëdhjetë vjet pas ndalimit të ndërtimit, me afat të shtyrë përfundimi deri më 23 tetor 2026. Një e treta e mjeteve në përgatitje janë blerë para 15 vjetësh dhe nuk janë përdorur kurrë, ndërsa për tokë me vlerë rreth 117 milionë euro nuk janë siguruar fletë pronësie.
Në planin kadrovik, siç njofton Fokus, nga 1.314 vende pune të sistematizuara janë plotësuar vetëm 54 për qind, ose 718 vende, grupmosha më e përfaqësuar është ajo 56–60 vjeç, ndërsa 30 për qind e të punësuarve nuk i plotësojnë kushtet e veçanta arsimore për vendin e punës. Revizioni konstatoi njëherit infrastrukturë hekurudhore të vjetruar, të mirëmbajtur pamjaftueshëm dhe pjesërisht jofunksionale: në pjesë të korridoreve 10, 10d dhe 8 trenat lëvizin me shpejtësi të zvogëluara për shkak të defekteve dhe traversave të djegura, në disa akse qarkullimi është ndalur plotësisht, ndërsa investime domethënëse nuk ka pasur prej më shumë se 40 vjetësh.
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për ndërmarrjen e masave, ndërsa përfaqësuesi ligjor i ndërmarrjes ka dorëzuar dy njoftime për aktivitetet e ndërmarra pas rekomandimeve, përfshirë edhe shkallën e realizimit të projekteve të Korridorit 8.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.