Buxheti për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO, Shqipëria përmbush angazhimin si anëtare e Aleancës!
Mbrojtja do të ketë më shumë para përgjatë vitit të ardhshëm. Kjo edhe në kuadër të angazhimeve që ka vendi ynë si anëtar i Aleancës më të madhe ushtarake, NATO-s, për ta çuar atë në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto deri në 2035.
Për 2027 buxheti për mbrojtjen është 2.35% të PBB-së dhe është e dakordësuar dhe e konfirmuar edhe me NATO-n, tha kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
“Për herë të parë përqindja e shpenzimeve që do të zërë sektori i mbrojtjes do të zërë, do të kapë vlerën e 2.35% të PBB-së, është në funksion të gjithë angazhimit që kemi marrë në kuadër të Aleancës së NATO-s, për ta çuar deri në 2035 në 5 për qind këto shpenzime. 2.35 është e konfirmuar edhe nga NATO në Bruksel”, tha Çuçi.
Rritje ka pësuar edhe buxheti për pushtetin vendor. Për 2027-n, ky buxhet është në vlerën e 114.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 2.4 për qind krahasuar me 2026. Por ky buxhet mund të ndryshojë, pasi planifikimi i tij është bërë për 61 bashki, ndërsa në 2027-n votohet me një ndarje të re territoriale, me 46 bashki.
“Në projektbuxhetin e 2027 janë bërë në bazë të 61 bashkive, pas zgjedhjeve lokale, kur të përfundojë reforma, në bazë të reformës së re do të rishikohen, do të bëhen transfertat përkatëse”, tha Andi Mehmeti.
ABC News informon se ky buxhet do të rishikohet, bazuar edhe në kompetencat e reja që do të marrin bashkitë, në momentin që do të përfundojnë ndryshimet ligjore në Kuvend.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.