Calavera: Vetting, të gjithë prokurorët, Prokurori i Përgjithshëm e anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Të gjithë prokurorët, Prokurori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë pjesë e Vettingut”, deklaron për Deutche Welle, Genoveva Ruiz Calavera, Kryetare e Operacionit Ndëkombëtar të Monitorimit (ONM)
“Jam shumë e kënaqur që operacionet e vettingut kanë filluar dhe që së bashku me progresin në pesë prioritetet kyҫe do të hapin derën për hapin tjetër që do të hedhë Shqipëria në procesin e integrimit europian. Nuk dëshiroj të them se kur kjo do të ndodhë: në pranverën apo verën e ardhshme pasi varet vërtet nga progresi në procesin e vettingut dhe 5 fushat prioritare. Por dëshiroj të them, që pres me padurim të shoh progres në kontekstin e vettingut, që ai të funksionojë mirë për të demonstruar se po kryhet, dhe po kryhet në standardet më të larta të mundshme”, tha ajo.
“Dëshirojmë cilësinë para shpejtësisë. Është një proces kaq i rëndësishëm saqë kërkon vërtet një vlerësim në thellësi të ҫdo gjyqtari dhe prokurori. Flasim për të ardhmen e qënieve njerëzore dhe duam të jemi të sigurtë që gjithë puna që po bëjnë institucionet e vettingut të jetë shumë rigoroze, shumë e ndershme dhe e ekuilibruar. Koha sesa do të zgjasë varet nga rastet konkrete: mund të ketë raste të thjeshta, të ndërlikuara nga pikëpamja e aksesit në informacion, do të ketë dëgjesa pasi njerëzit kanë të drejtën të shprehen, do t‘ u jepet mundësia për të sjellë prova dhe dëshmi. Për ne nuk është e rëndësishme që procesi i vettingut të përfundojë që Shqipëria të kalojë në fazën tjetër në procesin e anëtarësimit në BE. Për ne është e rëndësishme që procesi i vettingut të kryhet si duhet”, tha Calaver.
Sipas saj, edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të kalojnë në skanerin e Vettingut. “Ne shpresojmë fort që në fund të procesit do të jemi të aftë të identifikojmë gjykatësit dhe prokurorët e lidhur me krimin e organizuar. Procesi në vetvete është për t’i skanuar dhe nxjerrë ata nga sistemi i drejtësisë. Vettingu nuk i fut në burg, por pasoja e vettingut do të jetë që ndaj tyre të fillojnë hetime dhe ngrihen akuza. Roli im është që vettingu, skaneri të bëhet në mënyrë të ndershme dhe të pavarur nga ndërhyrjet politike”, tha Kryetarja e OMN-së
Duke folur për pasojat e Vettingut në sistemin e drejtësisë, Calavera tha se, “pas këtij proçesi do të kemi sistem të ri gjyqësor, gjyqtarët do të kenë standarde më të larta profesionale, pa marrëveshje të fshehta me krimin e organizuar apo ndikime nga politikanët”.
Calavera tha se Kryetarja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, ka qënë subjekt fushatash denigruese. “Kryetarja jonë e Delegacionit të BE-së në Tiranë, ka qënë subjekt fushatash denigruese, shpifjesh dhe sulmesh totalisht pa asnjë bazë. Jam realiste që vettingu do të prekë interesa financiare të individëve që janë pasuruar padrejtësisht dhe nuk do të jetë një proces i qetë. Pres lajme të rreme, gjysëm të vërteta, fushata shpifjesh, sulmesh denigruese ndaj meje. Por jam e përgatitur t’i përballoj. Vettingu është një proces që duhet mbrojtur, ai nuk është një show. Duhen mbrojtur institucionet e vettingut që të bëjnë punën e tyre Kam shumë besim se gjykatësit ndërkombëtarë që kemi janë të aftë të japin ndihmesën e tyre. Roli i tyre është të jenë vëzhgues të pavarur, ata por mund të japin këshilla shumë të mira sesi duhen bërë gjërat,nisur nga përvoja e pasur. Janë gjyqtarë të nivelit të lartë, shumë të përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe besoj fort se janë krijuar kushtet për të bërë punën. Por nuk jam naïve për vështirësitë që do hasim për t’i shkuar deri në fund procesit. Por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë që asistenca jonë në monitorimin e procesit të jetë në standardet më të larta të mundshme. Shqiptarët e meritojnë këtë process”, tha Genoveva Ruiz Calavera.