Callum Turner tregon detaje nga jeta me Dua Lipa-n

Aktori britanik Callum Turner ka folur hapur për marrëdhënien e tij shumëvjeçare me Dua Lipa, duke zbuluar se ajo është një burim i madh frymëzimi në jetën e tij.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, të realizuar vetëm pak javë para dasmës së tyre, Turner u shpreh se partnerja e tij e motivon edhe në aspektin artistik.
“Dëshiron të frymëzohesh nga personi me të cilin je,” tha aktori 36-vjeçar.
Edhe pse në atë kohë nuk zbuloi detaje për ceremoninë e martesës, çifti kurorëzoi dashurinë më 31 maj në një ceremoni civile në Londër, ndërsa një festë më e madhe u organizua fundjavën pasuese në Siçili.
Turner tregoi gjithashtu se, pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale, ai dhe Dua përpiqen të kalojnë sa më shumë kohë së bashku.
“Sigurohemi që të jemi bashkë sa më shumë të jetë e mundur,” tha ai.
Çifti u lidh me njëri-tjetrin në janar të vitit 2024, kur u panë së bashku pas premierës së filmit Masters of the Air në Londër. Në korrik të atij viti, Dua konfirmoi lidhjen e tyre në Instagram, ndërsa në qershor 2025 zbuloi për British Vogue se ishin fejuar.
Edhe pse zakonisht preferojnë ta mbajnë jetën private larg vëmendjes së mediave, Turner ndau disa detaje interesante nga përditshmëria e tyre. Ai tregoi se të dy kanë një pasion të madh për filmat dhe artin.
Së fundmi, çifti kishte shkuar në kinema për të parë filmin horror Obsession, ndërsa më parë kishin parë edhe klasikun One Flew Over the Cuckoo’s Nest, një nga filmat e preferuar të Turner.
“Ishte hera e parë që ajo e shihte atë film dhe unë i thoja vazhdimisht: ‘Shiko nëse mund t’i dallosh këto fytyra të famshme’. U solla pak si i ditur,” tha ai me humor.
Aktori shtoi se ai dhe Dua ndajnë të njëjtën dashuri për artin.
“Unë dhe Dua kemi një botë të përbashkët artistike që e duam, e eksplorojmë dhe e ndajmë me njëri-tjetrin,” u shpreh ai.
Sipas raportimeve, çifti kaloi muajt e parë të këtij viti në Paris, përpara se të rikthehej për një periudhë në shtëpinë e tyre në Londër. Gjatë pjesës tjetër të vitit, ata pritet të jetojnë kryesisht në Shtetet e Bashkuara, pasi Turner është angazhuar në disa projekte të rëndësishme filmike.
Ndërkohë, aktori do të shfaqet këtë verë në disa filma të rinj, ndërsa Dua Lipa vazhdon të jetë një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop në botë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.