“CBS News”: Të dyshuarit për mashtrim me fondet e pandemisë nuk do të marrin më kredi qeveritare
– Rreth 870 mijë persona të dyshuar për mashtrim me programet federale të ndihmës gjatë pandemisë COVID-19, do të përjashtohen nga mundësia për të marrë kredi të ardhshme nga qeveria amerikane, njoftoi sot zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, sipas “CBS News“.
Vance deklaroi se personat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet publike, nuk duhet të kenë më akses në programe të financuara nga taksapaguesit amerikanë.
Masa lidhet me një fushatë të gjerë të Departamentit amerikan të Drejtësisë kundër mashtrimeve me programet e huave, të krijuara gjatë pandemisë, përfshirë “Programin për Mbrojtjen e Pagave” (PPP) dhe “Kreditë për Dëmet Ekonomike të Shkaktuara nga Fatkeqësitë” (EIDL).
Administrata e Biznesit të Vogël të SHBA-së (SBA) tha se pezullimet e reja, lidhen me rreth 39 miliardë dollarë mashtrime të dyshuara në 45 shtete dhe territore.
Së bashku me masat e mëparshme, numri i huamarrësve të pezulluar, lidhet me rreth 49 miliardë dollarë mashtrime të dyshuara në të gjitha 50 shtetet.
Sipas SBA-së, personat e pezulluar, nuk lejohen të marrin kredi të ardhshme për bizneset e vogla apo kredi për fatkeqësi, si dhe nuk mund të përfitojnë nga disa programe të tjera federale.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë ka ndërmarrë masa ndaj më shumë se 160 të pandehurve, me rreth 245 milionë dollarë humbje të synuara për taksapaguesit.
Gati 80 persona janë përballur me akuza penale, për raste që lidhen me programet e ndihmës së pandemisë.
Programi PPP u krijua në mars 2020, për të ndihmuar bizneset amerikane të përballonin pasojat ekonomike të pandemisë.
Në total, u dhanë rreth 11,8 milionë kredi, me vlerë afërsisht 800 miliardë dollarë.
Hetimet kanë zbuluar raste ku aplikantët paraqitën biznese fiktive, të dhëna të rreme për pagat dhe të ardhurat, si dhe raste të vjedhjes së identitetit për të përfituar fondet.
Sipas një vlerësimi të mëparshëm të inspektorit të përgjithshëm të SBA-së, më shumë se 200 miliardë dollarë nga fondet e programeve PPP dhe EIDL, mund të jenë përfshirë në raste mashtrimi të mundshëm. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.