ChatGPT blen për ju, Visa sjell pagesa të automatizuara me AI
Gjigandi i pagesave Visa ka integruar rrjetin e tij brenda ChatGPT, duke i lejuar chatbot-it të blejë dhe të kryejë transaksione në mënyrë të pavarur në emër të përdoruesve, në një veprim që shënon një zgjerim të konsiderueshëm të tregtisë së mundësuar nga Al.
Ky bashkim do të thotë që agjentët e Al jo vetëm që mund të rekomandojnë produkte, por edhe të kryejnë blerje te çdo tregtar që pranon Visa.
OpenAI do të ofrojë teknologjinë që u lejon agjentëve të bashkëveprojnë, të marrin vendime dhe të fillojnë blerjet përmes ChatGPT.
Visa, rrjeti më i madh i pagesave në botë jashtë Kinës, do të merret me autorizimin e pagesave dhe monitorimin e mashtrimeve.
“Ndërsa agjentët e Al bëhen pjesëmarrës aktivë në ekonomi, fokusi i Visa-s është të sigurojë që transaksionet të jenë të besueshme, të sigurta dhe pa probleme”, tha Jack Forestell, drejtori kryesor i produktit dhe strategjisë së kompanisë.
Duke folur në një aktivitet të kompanisë në San Francisko, Forestell dha shembullin e një klienti që i kërkonte ChatGPT të gjente kufje nën 136 euro.
Chatbot-i do të gjente një palë të përshtatshme dhe do t’i blinte në emër të klientit.
Ndryshe, kjo nuk është përpjekja e parë e OpenAI në tregtinë elektronike.
Kompania lansoi Instant Checkout në fund të vitit të kaluar, duke i lejuar ChatGPT të kërkonte në internet për artikuj specifikë.
Por kjo veçori ishte e prirur ndaj gabimeve, nuk u pranua gjerësisht nga tregtarët të cilët kundërshtuan një tarifë transaksioni prej 4% dhe u tërhoq në mars.
Visa dhe OpenAI nuk i zbuluan kushtet financiare të marrëveshjes së re dhe as nuk dhanë detaje për ndonjë tarifë për tregtarët ose klientët. /Telegrafi/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.