Çitaku për aktgjykimin ndaj Thaçit: E turpshme dhe e papranueshme
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin për pengim të drejtësisë.
Në një reagim në Facebook, Çitaku ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e saj për vendimin e sotëm, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë dhe administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.
“Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë thelluar pikëpyetjet për punën e Gjykatës Speciale.
Çitaku ka deklaruar se përgjigjja ndaj asaj që e ka cilësuar padrejtësi do të jetë përmes qëndresës, mobilizimit dhe veprimeve politike, juridike e diplomatike.
“Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.