Dallime midis Gjermanisë dhe Francës në botën pas Trumpit
Presidenti francez Macron ka kritikuar me ashpërsi të pazakontë ministren gjermane të Mbrojtjes. Gjermania e Franca janë përplasur publikisht se a duhet të mbështeten për sigurinë te SHBA, shkruan Auron Dodi.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer shkroi në fillim të nëntorit, pak para zgjedhjeve në SHBA, një artikull në revistën „Politico”. Në të ajo argumentonte se “Iluzioni i një autonomie strategjike evropiane duhet të marrë fund: evropianët nuk mund të zëvendësojnë rolin vendimtar të SHBA, si garantuese e sigurisë.”
10 ditë më vonë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron reagoi me ashpërsi të pazakontë.
Në një intervistë online me revistën „Le Grand Continent” ai e quajti vlerësimin e Annegret Kramp-Karrenbauerit: „keqinterpretim të historisë”. Macroni sqaroi se është “krejtësisht i një mendimi tjetër” nga Ministrja gjermane e Mbrojtjes.
Ai shtoi se „fatmirësisht kancelarja gjermane nuk ndjek këtë linjë, po ta kem kuptuar drejt”. Sipas tij SHBA do t’i pranojnë evropianët si aleatë, “vetëm po ta marrim seriozisht veten dhe të jemi sovranë në mbrojtjen tonë.”
Pas kësaj, reagoi sërish Ministrja gjermane e Mbrojtjes. Në një fjalim në Akademinë e Bundeswehrit, ushtrisë gjermane, në Hamburg, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se “ideja e autonomisë strategjike të Evropës shkon shumë larg, po të ushqejë iluzionin se sigurinë, mirëqënien…mund ta garantojmë pa NATO-n dhe SHBA.”
Mosmarrëveshje për konceptin e pasqaruar të mbrojtjes evropiane
Kancelarja Merkel vërtet është shprehur që në krye të presidencës së Trumpit se “ne duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”. Dhe e ka mbrojtur edhe së fundi idenë e sovranitetit evropian.
Por asnjëherë në Gjermani, nga asnjë qeveri, kjo nuk përfytyrohet në autonomi nga NATO-ja, apo pa SHBA. Për Gjermaninë ka rëndësi mbrojtja edhe me një arsenal bërthamor. Dhe Gjermania nuk është fuqi atomike, në dallim nga Franca.
Është e vërtetë se me politikën e Presidentit Trump ndaj Gjermanisë janë shtuar dyshimet për mbështetjen e SHBA.
Por edhe Gjermania është për forcimin e mbrojtjes së Evropës. Vetë Ministrja gjermane e Mbrojtjes mendon se Evropa duhet të bëhet fuqi ushtarake.
„Ne duhet të demonstrojmë se e kemi seriozisht për mbrojtjen tonë…Po qe për mua, mund ta përshpejtojmë procesin. Vetëm kur e vlerësojmë vetë sigurinë tonë, mund të presim që Amerika të bëjë të njëjtën gjë”, i tha ajo edhe këto ditë gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Për të sinjalizuar se janë ndërgjegjësuar për nevojën e forcimit të kërcënimit ushtarak, në Gjermani përmenden aktualisht si kujtesë rreziqet në botë. P.sh. sulmet e piratëve të internetit, nga Rusia.
Një Evropë si fuqi ushtarake, në konkurrencë me SHBA dhe me NATO-n, do ta kundërshtonin veç Gjermanisë edhe shtete të tjera në Bashkimin Evropian, kryesisht në Lindje. Të parët do të ishin polakët.
Kështu që gjermanët, edhe për mbrojtjen evropiane, mendojnë në plan më të gjerë se presidenti francez. Këtu ka vërtet dallime me francezët.
Thjesht një keqkuptim?
Përshtypja e parë është se presidenti francez e ka keqkuptuar qëndrimin e Ministres gjermane të Mbrojtjes. Por problemi duket më i gjerë.
Kërkesa franceze, për distancë nga SHBA, nuk është e re. Ajo e ka fillesën që pas Luftës së Dytë Botërore, te presidenti francez Charles de Gaulle.
Për të krijuar një kundërpeshë ndaj SHBA, Charles de Gaulle forcoi aleancën me Gjermaninë. Kancelari gjerman i asaj kohe, Konrad Adenauer e pranoi aleancën. Por lidhjen me SHBA ai e theksoi edhe në traktatin e miqësisë të Elizesë, mes Gjermanisë e Francës.
Franca gjithmonë është druajtur se Gjermania mund t’u japë përparësi marrëdhënieve me SHBA, jo integrimit evropian. Tani Emmanuel Macroni mendon se pas fitores së Bidenit në SHBA, Gjermania mund të kërkojë të futet sërish nën ombrellën amerikane, ku është ndierë e sigurtë 75 vitet e fundit.
Por këtu Macroni ndoshta nxitohet. Menjëherë pas fitores së Bidenit, kancelarja Merkel deklaroi se Gjermania do të bëjë shumë më tepër për mbrojtjen.
Pozicionime për epokën pas Merkelit?
Politika e Trumpit, që e shihte si kundërshtar Bashkimin Evropian, padyshim i afroi evropianët me njëri-tjetrin. Dhe tani presidenti Trump po largohet.
Megjithatë për momentin do të ishte teprim të themi se kanë shpërthyer ndasi të reja, midis Gjermanisë e Francës. Gjermania e Franca pikënisjet i kanë pasur gjithmonë të ndryshme – në objektiv janë takuar.
Me qartësimin e pozicionit gjerman ndaj SHBA, Ministrja gjermane e Mbrojtjes i drejtohet edhe publikut brenda Gjermanisë. Këtu janë tashmë disa politikanë, që po përpiqen të lënë gjurmë të vlefshme për Gjermaninë e pas kancelares Merkel.
Kurse Macroni ndoshta shpreson të marrë rol udhëheqës në Evropën pas kancelares Merkel. Dhe pas deklaratës së Ministres gjermane të Mbrojtjes, ai dyshon për mbështetjen gjermane. Mbështetje për konceptin e autonomisë ushtarake të Evropës (në distancë nga SHBA) Franca nuk ka as në NATO, konstatonte këto ditë gazeta franceze “Le Monde”.
Reagimi i ashpër ndaj Annegret Kramp-Karrenbauerit mund të lidhet edhe me kujtesën që i bëri ajo si kryetare e sapozgjedhur e CDU-së Francës, që të mos presë sakrifica vetëm nga të tjerët, por të sakrifikojë e para për Evropën. AKK i propozoi Francës që vendin që mban Franca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së t’ia lërë Bashkimit Evropian.
Macroni: mes vizioneve për Evropën dhe menaxhimit të Francës
Njëkohësisht, reagimi i ashpër i presidentit francez ka të bëjë mjaft me personin e tij e me situatën ku ndodhet.
Mënyra e të shprehurit të Macronit sinjalizon acarim dhe distancim ndaj botës. Mediet gjermane regjistruan se në intervistën që dha, ai nuk ia përmendi asnjëherë emrin Ministres gjermane të Mbrojtjes. Në SHBA, gazeta New York Times regjistroi e habitur se Macroni nuk ia përmendi në intervistën e tij asnjëherë emrin as Presidentit të zgjedhur Biden.
Në Francë Macroni është nën presion, për shkak të menaxhimit jo optimal të pandemisë së Covid-19. Pas sulmeve të fundit islamiste në Francë, deklaratat e tij kritike ngjallën protesta edhe në botën myslimane.
Shumë nga prestigji i Macronit në Francë buron nga ai që perceptohet si sukses i tij, në politikën botërore dhe evropiane. Por edhe këtu rezultatet nuk janë mbresëlënëse. Pa asnjë dyshim, jo vetëm për paaftësi të Macronit.
Gjermania sërish e preferuar e SHBA?
Ekipi i Bidenit deklaroi qartë se do të riparojë marrëdhëniet me aleatët. Pritet që Bideni ta bëjë këtë edhe me Gjermaninë. Se deri ku do të ripërtërihet partneriteti në botën që ka ndryshuar, kjo megjithatë mbetet të shihet.
Nga ana tjetër: simpatia që demonstronte Donald Trumpi për Macronin tani i përket së kaluarës. Megjithë inskenimin publik të saj, përfitime konkrete Francës ajo nuk duket se i solli.
Këtë në Francë e dinë. Tani, për vizitën e re në Paris të Ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo, zyra e Macronit nxitoi të sqarojë se vizita bëhet me kërkesë të Pompeos. Dhe në transparencë të plotë me zyrën e presidentit të zgjedhur Biden.