DAP-i e fillon fazën e tretë të projektit fatura elektronike, shërbim më praktik për kompanitë
Fillon faza e tretë e projektit për faturë elektronike në kuadër të të cilës Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) mundëson testimin e sistemit për faturë elektronike përmes ueb-aplikacionit, me qëllim që kompanitë të kenë qasje në testin praktik për shkëmbim elektronik të faturave – informon sot DAP-i.
Në fazën e parë testohet integrimi i sistemeve ERP të kompanive me sistemin për faturë elektronike.
Në fazën e dytë janë shtuar servise API për ndërmarrje, pranim, refuzim dhe kthim të faturës elektronike dhe u mundësua testim i më shumë indikatorëve tatimorë. Me këto ndryshime u ndryshua struktura e thirrjeve API dhe formati JSON për çka kompanitë përsëri i përshtatën sistemet e tyre në përputhje me specifikimet e reja të publikuara në https://efakturawiki.ujp.gov.mk.
“Në fazën e tretë, bëhet kalim në një ueb-aplikacion përmes të cilit çdo kompani – e vogël, e mesme ose e madhe – mund të testojë thjesht krijimin, dërgimin, pranimin, refuzimin dhe kthimin e dokumentit. Aplikacioni lejon testimin e faturës së përgjithshme me 12 tregues tatimorë. Ueb aplikacioni mundëson qasje të thjeshtuar në një mjedis testimi për të gjitha subjektet afariste pavarësisht nga madhësia ose gatishmëria e tyre teknike, dhe në të njëjtën kohë inkurajon përgatitjen graduale për zbatimin e sistemit të faturave elektronike”, njoftoi DAP-i.
Njëherësh, me qëllim që testimi të jetë i strukturuar Drejtoria e të Ardhurave Publike vendosi bashkëpunim me afro 200 kompani – testues të zgjedhur, të cilët në bashkëpunim me agjentë të emëruar tatimorë nga DAP do të zbatojnë testim të strukturuar. Gjatë kësaj do të testohen skenarë të zgjedhur testues dhe kompanitë në vazhdimësi do të dorëzojnë informacione kthyese në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.
Drejtoria e të Ardhurave Publike informon se në vazhdimësi zbaton takime edukative për kompanitë përmes odave ekonomike, bashkësive të biznesit dhe shoqatave të tjera. Deri më tani janë mbajtur afërsisht 30 takime informative – edukative, në të cilat janë prezantuar aspektet kyçe të sistemit dhe proceset në lidhje me faturën elektronike.
Në bashkëpunim me odat ekonomike, në periudhën e ardhshme është paraparë organizim i takimeve shtesë me kompani në shumë rajone përgjatë shtetit, me qëllim të njohjes së tyre më të hollësishme me funksionalitetet dhe mënyrën e shfrytëzimit të sistemit faturë elektronike.
“Në periudhën e ardhshme do të publikohet edhe një vebinar dhe udhëzime të hollësishme, të cilat do të shërbejnë si mbështetje shtesë për të gjitha kompanitë që do t’i testojnë në mënyrë të pavarur proceset për krijimin dhe shkëmbimin e faturave elektronike, njofton PRO dhe u bën thirrje kompanive që ta testojnë në mënyrë aktive ueb-aplikacionin dhe të paraqesin komente, sugjerime dhe rekomandime për përmirësimin e tij të mëtejshëm, si dhe propozime për plotësimin dhe përmirësimin e treguesve tatimorë dhe funksionaliteteve të sistemit.
Edhe ato kompani të cilat nuk kanë emëruar agjent tatimor, DAP-i i inkurajon të provojnë dhe të fillojnë testimin e funksionimit të sistemit, si dhe me kohë të paraqesin vërejtje eventuale ose vështirësi teknike.
Informacione të dobishme për testimin: Dokumentacioni i nevojshëm: https://efakturawiki.ujp.gov.mk Regjistrim dhe ndarje e privilegjeve: https://eujptest.ujp.gov.mk/ureg Platformë testimi për e-faturë: https://efakturatest.ujp.gov.mk, kontakt për mbështetje: Kontakt.eFaktura@ujp.gov.mk.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.