Debat në Kuvend, Rama dhe Berisha përplasen për Buxhetin 2027
Parlamenti është mbledhur këtë të mërkurë në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve po shqyrtohet në parim projektbuxheti për vitin 2027 dhe paketa fiskale. Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare dhe po diskutohen për herë të parë në sallën e Parlamentit.
Në fjalën e mbajtur në seancë, kryeministri Edi Rama e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2027 si historik, duke theksuar se për herë të parë buxheti i shtetit shqiptar kalon kufirin e 10 miliardë eurove. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Rama deklaroi se ky buxhet nuk është i rëndësishëm vetëm për rritjen e mundësive ekonomike të vendit, por edhe për lehtësimin e kostos së jetesës për familjet shqiptare.
Rama tha se prioritet i këtij buxheti janë dy kategori: pensionistët dhe të rinjtë. Ai bëri të ditur se nga 1 janari do të dyfishohet bonusi i pensioneve, ndërsa do të votohet edhe ligji i strehimit, i cili synon të mbështesë të rinjtë.
“Është një marrëdhënie e patjetërsueshme e kësaj partie me këtë kategori (pensionistët). Ata akoma vazhdojnë t’i besojnë lapsit dhe llogarisë. Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që mbetet nga mundi.
Ndërkohë që ka pensionistë që jetojnë me pak dhe kanë kontribuar për vendin, ne nuk mund të mbetemi vetëm te rritja ekonomike nëse nuk qëndrojmë pranë tyre për një detyrim tonin ndaj tyre.
Pensionet rriten me ekonominë dhe, falë rritjes nga janari, do të dyfishojmë rritjen e vitit që lamë pas. Edhe në vijim do të bëjmë të njëjtën gjë. Pensionistët dhe të rinjtë janë në fokus të politikës sonë.
Berisha: Shqiptarët janë më të varfrit në Evropë, Rama: Po të bien pantallonat po ik tani
Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, ku po shqyrtohen në parim projektbuxheti për vitin 2027 dhe paketa fiskale, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se paketa e re fiskale rëndon më tej xhepat e qytetarëve.
Berisha u ndal dhe te shifrat e Eurostat për të ardhurat, ku sipas tij rezulton se shqiptarët janë më të varfrit në Evropë.
Ndërkohë ajo që ka marrë vëmendje është batuta e kryeministrit Edi Rama në momentin që Berisha po largohej nga foltorja.
“Po të bien pantallonat po ik tani”, ka deklaruar kreu i qeverisë.
Rama për rindërtimin në Tiranë: Prej dy vitesh Bashkia është pa kokë, fondet ende të papërdorura
Kryeministri Edi Rama ka folur për ecurinë e procesit të rindërtimit në Tiranë, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për vonesa dhe abuzime me fondet.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku prezantoi ligjin e ri të strehimit, Rama vlerësoi procesin e rindërtimit në shkallë vendi, të cilin e cilësoi të suksesshëm, ndërsa për Tiranën tha se prej dy vitesh Bashkia është “pa kokë” dhe se fondet e parashikuara për strehimin dhe rindërtimin nuk janë vënë në lëvizje.
“Dëgjova akuzat për vjedhje dhe vonesa në procesin e rindërtimit, por nëse ka një proces rindërtimi të suksesshëm, për të cilin duhet të jemi krenarë, duke marrë parasysh se çfarë ka ndodhur me rindërtimin në vende shumë më të zhvilluara se ne, është pikërisht procesi i rindërtimit në Shqipëri”, u shpreh kryeministri.
Më tej, Rama theksoi se problematikat në kryeqytet lidhen me mungesën e drejtimit të bashkisë dhe mosshfrytëzimin e fondeve të vëna në dispozicion për këtë proces.
Rama: Buxheti 2027 lehtësira fiskale, ulje taksash dhe mbështetje për pensionistët
Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2027, kryeministri Edi Rama ka theksuar se ajo synon uljen e kostos së jetesës për familjet shqiptare, lehtësimin e barrës fiskale për shtresën e mesme dhe rritjen e mbështetjes për pensionistët dhe qytetarët në nevojë.
“Partia Socialiste e Shqipërisë falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë me këtë buxhet ul drejtperdrejtë koston e jetesës për familjet shqiptare duke lehtësuar barren fiskale për shtresën e mesme dhe duke rritur mbështetjen për pensionistët dhe ata në nevojë.
E nis nga kjo sepse e kemi degjuar shpesh sikur këto masa ishin çështje dëshirash. Janë kundërvënë sikur ne se kishim dëshirën për ti marrë më parë këto masa. Arsyeja pse shumica n na kanë votuar dhe do vazhdojnë të na voitojë qëndron tek e vërteta që ndan shqiptarët që janë jashtë kësaj salle me këta që janë në sallë, që s’kanë lidhje me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, tha kryeministri.
Rama u ndal gjithashtu te masat për uljen e taksave mbi produktet bazë dhe karburantin, si dhe rritjen e pensioneve, duke argumentuar se realizimi i këtyre zotimeve është bërë i mundur falë rritjes së ekonomisë dhe të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Rama: Të protestojnë kundër qeverisë gjëja më e natyrshme, por të jesh opozitë dhe të përzënë nga protesta…
Rama në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit kritikoi opozitë për qëndrimin e mbajtur lidhur me progresraportin e KE për Shqipërinë.
Sipas Ramë, opozita, deputetët e të cilës u larguan nga seanca sapo kryeministri mori fjalën, tregoi se nuk ka vlerë politikisht që në momentin që “e përzënë nga protesta edhe duke qenë një opozitë”.
“Dua ta nis me një fakt që është mirë ta rijkujtojmë sa më shumë sidomos në sfondin e gjithë kësaj pafytyrësie që edhe raportin e progresit të KE e ripërtypur në publik si një fakt kundër kësaj qeverie
Në raportin e progresit të BE ka një togfjalësh që i thotë të tëra arsyet pse ne jemi krenarë për punën tonë dhe pse duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë dhe pse askush tjetër nuk e bë dot punën tonë. Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian që në vitin 2027 të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga Komisionit Europian në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e me duar, britma ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën.
Të jesh në qeveri dhe të protestohet kundër saj është gjëja më e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe mos të të pranojë t’i afrohesh protestës është fakti që vlen për të kuptuar çfarë janë këta”, tha Rama.
Berisha: Po denoncimi i Majkos? Do të dalin edhe skenat erotike
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur lidhur me deklaratën e ish-kryeministrit Pandeli Majko në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke kërkuar shpjegime nga mazhoranca.
Gjatë fjalës së tij për projektbuxhetin e vitit 2027, Berisha iu drejtua përfaqësuesve të shumicës me pyetjen: “Po denoncimi i Majkos?”, ndërsa paralajmëroi se, sipas tij, do të bëhen publike edhe informacione të tjera.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së përmendi edhe “skenat erotike”, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë materiale që ende nuk janë bërë publike.
“Jo, jo se kaq naiv Gjinua nuk është sa të ngatërroj skenat erotike me skenat e tjera. I keni dhe ato ju! I keni! Dhe do të dalin, ua them unë, do të dalin. Prandaj, më mirë largohuni!”, u shpreh Berisha nga Kuvendi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.