FOKUS – Bullgaria neutralizon një operacion pesëvjeçar spiunazhi kibernetik ndaj institucioneve shtetërore
SOFJE, 18 nëntor /ATSH-BTA/ – Bullgaria ka arritur të neutralizoje operacionin më të gjatë të njohur të spiunazhit kibernetik ndaj administratës shtetërore të vendit, deklaroi ministri i Inovacionit dhe Transformimit Digjital, Ivan Vasilev, gjatë një konferencë për shtyp në Këshillin e Ministrave.
Sipas ministrit, gjatë operacionit janë shkarkuar ilegalisht të paktën 130 gigabajt dokumente qeveritare, ekuivalente me më shumë se 62 milionë faqe. Deri tani nuk janë gjetur prova se të dhënat personale të qytetarëve bullgarë janë komprometuar.
Vasilev bëri të ditur se ka urdhëruar një inspektim dhe, bazuar në rezultatet e tij, ka referuar çështjen në prokurori për të shqyrtuar faktet dhe rrethanat lidhur me veprimet dhe mosveprimet e autoriteteve shtetërore gjatë pesë viteve të fundit.
Hetimi konfirmoi dyshimet fillestare se aktiviteti kibernetik kishte vijuar për vite me radhë. Sulmuesit kishin ruajtur akses të fshehtë në rrjetet e administratës shtetërore për pesë vjet, duke e bërë këtë rast operacionin më të gjatë të njohur të spiunazhit kibernetik ndaj institucioneve bullgare.
U identifikuan disa grupe hakerash që kishin vepruar brenda sistemeve bullgare që prej vitit 2021, ndërsa raste të tjera të aksesit të paautorizuar u zbuluan edhe në vitin 2022.
Ministri Vasilev nuk bëri të ditur vendet nga të cilat operonin grupet ndërkombëtare.
Hakerat kishin mbledhur informacione sensitive lidhur me veprimtarinë e shtetit bullgar, duke synuar sistemet qeveritare të përdorura për shkëmbimin e dokumenteve zyrtare.
“Ky aktivitet kishte mbetur i pazbuluar për vite me radhë, gjatë disa qeverive dhe administratave, sepse masat ekzistuese të sigurisë nuk funksiononin si një sistem i vetëm dhe i integruar”, deklaroi Vasilev.
Ndërhyrja u zbulua pas instalimit të një sistemi të ri kombëtar të sigurisë kibernetike, i cili për herë të parë mundësoi një pamje të plotë të aktivitetit në rrjetet e administratës shtetërore.
Në hetim u përfshi një grup i përbashkët ndërinstitucional, ku morën pjesë Ministria e Inovacionit dhe Transformimit Digjital, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Zbulimit Shtetëror, Shërbimi i Zbulimit Ushtarak, Agjencia Ekzekutive për Infrastrukturën e Qeverisjes Elektronike dhe ekipi kombëtar për reagimin ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike.
Operacioni u mbështet gjithashtu nga kompania “Information Services JSC”, përfaqësues të sektorit privat dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA).
Ministri Vasilev siguroi se lidhjet e sulmuesve me infrastrukturën e tyre janë ndërprerë dhe se ata janë larguar plotësisht nga sistemet shtetërore.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të eliminuar dobësitë e identifikuara në sistemet informatike dhe për të vendosur kontrolle më të rrepta të aksesit.
Sistemi kombëtar i sigurisë kibernetike po zgjerohet për të përfshirë 28 bashki dhe administrata rajonale, ndërsa po vendosen autentifikimi me shumë faktorë dhe kontrolle të posaçme për llogaritë e administratorëve.
Gjithashtu, po zhvillohet dhe zbatohet një metodologji kombëtare për vlerësimin e nivelit të maturisë së sigurisë kibernetike të vendit.
Qeveria bullgare po punon edhe për përfundimin e strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike, e cila, sipas ministrit, duhej të ishte miratuar prej vitesh, por nuk është finalizuar ende.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.