Një telefonatë i ndau për dekada, Christina Ricci rrëfen konfliktin me Cher

Christina Ricci ka zbuluar arsyen e marrëdhënies së ftohtë me këngëtaren dhe aktoren Cher, e cila prej gati 30 vitesh nuk komunikon me të.
Gjatë një interviste në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, Ricci tregoi se gjithçka nisi kur ajo ishte 19 vjeçe, pas një interviste të publikuar në një revistë, ku Cher kishte bërë disa komente jo shumë pozitive për të.
Sipas aktores, Cher më pas ishte përpjekur të sqaronte situatën përmes një mesazhi zanor, duke i shpjeguar se gazetarët shpesh përpiqen të nxjerrin në pah deklaratat më negative dhe se ajo nuk kishte pasur qëllim ta lëndonte.
Megjithatë, Ricci pranoi se në atë kohë ishte vetëm 19 vjeçe dhe nuk ia kishte kthyer telefonatën.
Ajo beson se pikërisht ky veprim mund të ketë shkaktuar përçarjen mes tyre.
“Fatkeqësisht, ajo është ende e zemëruar me mua. Ajo mban mëri”, u shpreh aktorja.
Ricci tregoi gjithashtu se ka tentuar të kontaktojë me Cher edhe vite më vonë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Pavarësisht kësaj, aktorja nuk i fshehu ndjenjat e mira që vazhdon të ketë për të.
“Unë e adhuroj. Ajo është e mrekullueshme. Mund ta imagjinoj plotësisht veten në vendin e Cher. Nëse do të më kishin keqinterpretuar dhe do të telefonoja një vajzë të re për t’ia shpjeguar, e ajo nuk do të ma kthente telefonatën, do të isha shumë e zemëruar. E kuptoj”, tha Ricci.
Në fund, ajo iu drejtua drejtpërdrejt këngëtares përmes kamerave: “Të dua, Cher. Të dua shumë”.
Christina Ricci dhe Cher luajtën së bashku në filmin “Mermaids” të vitit 1990, ku këngëtarja interpretonte nënën e personazhit të luajtur nga Ricci.
Aktorja ka folur edhe më parë me admirim për Cher, duke treguar se ajo e kishte mbështetur dhe marrë nën kujdes gjatë xhirimeve, kur Ricci ishte ende fëmijë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.