Demokratët rrimarin kontrollin e Kongresit amerikan
Demokratët kanë shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet afatmesme në SHBA, duke rimarrë kontrollin si të Dhomës së Përfaqësuesve, ashtu edhe të Senatit, sipas projeksioneve të CNN.
Rezultati përbën një goditje të fortë politike për presidentin Donald Trump dhe republikanët, të cilët deri më tani kontrollonin të dyja dhomat e Kongresit.
Demokratët arritën të fitojnë edhe në shtete tradicionalisht republikane, përfshirë Karolinën e Jugut, Teksasin, Ohion, Kansasin dhe Iowan. Në Karolinën e Jugut, Trump kishte fituar me një diferencë prej 18 pikësh në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Në Teksas, demokratët siguruan gjithashtu një fitore të rëndësishme në garën për guvernator, ku republikani Greg Abbott pranoi humbjen përballë kandidates demokrate Gina Hinojosa. Kjo shënon rikthimin e demokratëve në krye të shtetit pas rreth tri dekadash.
Fitorja në të dyja dhomat e Kongresit konsiderohet një zhvillim i pazakontë në politikën amerikane. Sipas CNN, vetëm dy herë gjatë 50 viteve të fundit kontrolli i të dyja dhomave ka ndryshuar në të njëjtat zgjedhje afatmesme.
Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, pritet të bëhet kryetari i ardhshëm i saj, duke u shndërruar në afrikano-amerikanin e parë që merr këtë post.
Ndërkohë, Trump deklaroi për “The New York Times” se është i gatshëm të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Inflacioni, tarifat tregtare të administratës Trump, lufta me Iranin dhe pakënaqësia e votuesve ndaj politikave dhe mënyrës së drejtimit të presidentit renditen ndër faktorët që ndikuan në rezultatin elektoral, sipas analizës së CNN.
Kontrolli i Kongresit u jep demokratëve më shumë mundësi për të mbikëqyrur administratën Trump, për të nisur hetime parlamentare dhe për të bllokuar disa prej emërimeve të tij në sistemin gjyqësor.
Megjithatë, rezultatet përfundimtare dhe përberja e re e Kongresit do të përcaktohen pas përfundimit të numerimit te votave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.