Dështon raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, opozita bojkoton seancën, sot skadon afati kushtetues
Në seancën e thirrur mbrëmjen e djeshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, procesi u zhvillua në mungesë të opozitës, e cila vendosi sërish të bojkotojë. Pavarësisht kësaj, Kuvendi vijoi me procedurat, duke çuar në përfundimin e raundit të parë të votimit, i cili më pas u shpall i pavlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit. Zhvillimet vijnë pas dorëheqjes nga kandidimi të zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Në seancën e thirrur mbrëmjen e djeshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, procesi u zhvillua në mungesë të opozitës, e cila vendosi sërish të bojkotojë. Pavarësisht kësaj, Kuvendi vijoi me procedurat, duke çuar në përfundimin e raundit të parë të votimit, i cili më pas u shpall i pavlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit. Zhvillimet vijnë pas dorëheqjes nga kandidimi të zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Në vijim të seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ftoi deputetët në sallë dhe procedoi me propozimin e dy emrave të rinj për postin e presidentit: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Pas propozimit të kandidatëve, nisi procesi i votimit për Presidentin. Në sallë ishin të pranishëm 64 deputetë, ndërsa mungesa e deputetëve të opozitës bëri që të mos plotësohej kërkesa kushtetuese prej të paktën 80 deputetësh për një votim të vlefshëm. Megjithatë, kryetarja e Kuvendit vijoi procesin, duke ezauruar raundin e parë të votimit. Në përfundim, ajo konstatoi mungesën e kuorumit dhe shpalli të pavlefshëm votimin, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancën e sotme për raundin e dytë.
Miftaraj: Kryetarja e Kuvendit dhe LVV-ja po e shkelin Kushtetutën
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha dje se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe deputetët e LVV-së “në mënyrë të hapur janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”. Miftaraj, tha se Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese, përfshirë aktgjykimin e fundit, janë shumë të qarta. “Në sallë duhen 80 deputetë për t’u konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.
Në rastin kur mungon kjo shumicë, dëshmohen qëllimet jo të mira të partisë në pushtet”. Sipas Miftarajt, fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, duke shkelur Kushtetutën dhe vendimet e GJK-së, pa konsensus dhe debat politik minimal dhe vetëm me votat e shumicës parlamentare nga partia në pushtet, cenon frymën e Kushtetutës, e cila kërkon legjitimitet të gjerë për këtë funksion. “Qëllimi kushtetues është që presidenti të mos jetë produkt i një partie të vetme politike, por rezultat i një përfaqësimi gjithëpërfshirës si garant i unitetit të popullit”, tha ai. Miftaraj po ashtu tha se mënyra si ka filluar kjo procedurë, duke u tërhequr dy kandidaturat e mëparshme dhe, me këtë, edhe nënshkrimet e protokolluara, ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit. “Shmangia e një konsensusi minimal dhe përdorimi i procedurave duke shkelur Kushtetutën dhe praktikën e GJK-së cenon rendin kushtetues”, tha ai.
Qëndrimi i Kurtit
Nga ana tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është diskutimi për çështjen e presidentit të Republikës së Kosovës, se dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja. “Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por, kompromisi në një demokraci duhet të jetë demokratik. Kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike. Kompromisi i vërtetë, ai që iu shërben qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedh nga angazhimi publik dhe nga fakti që je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, ka deklaruar Kurti



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.