Disa operacione të dështuara më herët! Si u finalizua arrestimi i Ergys Agasit?
Informacione të reja kanë dalë në dritë lidhur me operacionin e zhvilluar për arrestimin e Ergys Agasit dhe Ulian Shpatarakut, pasditen e së mërkurës, 26 gusht 2026.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton se makina e tyre, tip “Audi”, ishte pikasur nga blutë që nga Elbasani, e u ndoq deri në zonën e Plepave, Durrës.
Ndjekja e tyre u bë me makina civile, në mënyrë që të mos krijoheshin dyshime tek Agasi dhe Shpataraku. Për ndalimin e tyre, operacionalia bëri të mundur bllokimin e trafikut, për të shmangur çdo lëvizje të papritur.
Informacioni ka qenë i saktë që Agasi po lëvizte me automjetin që dyshohet se është në pronësi të Shpatarakut. Kështu, u bë i mundur arrestimi i tyre.
Informacione për gazetaren Daci konfirmojnë se Agasi lëvizte mes Durrësit, Elbasanit, por dhe kryeqytetit. Janë kryer disa operacione për arrestimin e tij, të pasuksesshme, por që nuk janë bërë kurrë publike.
Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të një hetimi të SPAK. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me fondet publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për dyshime mbi përfshirjen e tij në skema të përfitimit të paligjshëm, në bashkëpunim me persona të tjerë dhe zyrtarë shtetërorë.
Hetimet kanë ngritur dyshime edhe për tendera fiktivë dhe procedura të manipuluara, përmes të cilave dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike. SPAK ka vijuar hetimet për të dokumentuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë realizuar këto procedura.
Arrestimi i Agasit në Durrës shënon një zhvillim të rëndësishëm në këtë dosje hetimore. Ai pritet të përballet me masat e sigurisë dhe procedurat e mëtejshme gjyqësore, ndërsa hetimet e SPAK për këtë çështje vijojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.