“Do të ishte nder”, Musk shprehet i gatshëm ta punësojë shefin e Nvidia
Elon Musk, drejtori ekzekutiv i Tesla-s dhe themeluesi i SpaceX, ka deklaruar se do të ishte “nder” për të që të punësonte drejtuesin e Nvidia-s, Jensen Huang, në një kohë kur po shtohen raportimet për largimin e mundshëm të tij nga kompania amerikane e çipave.
“Do të ishte një nder”, delaroi Musk, duke iu përgjigjur një postimi ku thuhej: “Elon, të lutem punësoje Jensenin”.
Megjithatë, miliarderi amerikan nuk specifikoi se në cilën prej kompanive të tij mund ta angazhonte Huang, ndërsa nuk ka informacione për ndonjë ofertë zyrtare pune.
Deklarata erdhi pas raportimit të The Wall Street Journal se bordi drejtues i Nvidia-s po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Huang, i cili e udhëheq kompaninë që nga themelimi i saj në vitin 1993.
Sipas gazetës amerikane, zhvillimet lidhen me raportimet për dy marrëdhënie jashtëmartesore të Huang, njëra prej të cilave dyshohet të ketë qenë me Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Mega Speed International, e cila është përmendur në raportime për dyshime të shërbimeve amerikane të inteligjencës për lidhje me Kinën.
Këto dyshime nuk përbëjnë një konstatim të provuar publikisht.
Nvidia ka nisur një hetim të pavarur për këtë çështje, ndërsa bordi pritet të vendosë për të ardhmen e drejtuesit të saj.
Pas këtyre zhvillimeve, aksionet e Nvidia-s pësuan rënie prej 8.61 për qind në tregtimin pas mbylljes së bursës të mërkurën, duke zbritur në 158.78 dollarë.
Huang konsiderohet një nga figurat kryesore të industrisë së Al, pasi nën drejtimin e tij Nvidia është shndërruar në një nga furnizuesit më të rëndësishëm në botë të çipave për teknologjitë e avancuara.
Largimi i tij i mundshëm do të përbënte një ndryshim të madh në drejtimin e kompanisë, e cila ka luajtur rol kyç në zhvillimin global të Al.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.