Dokumente false, sekuestro preventive mbi një truall dhe dy pallate
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar rreth 6100 m2 truall, 24 apartamente të një pallati dhe 32% të një pallati tjetër në qendër të qytetit, në dyshimin se janë pasuri të krijuara nga dokumente të falsifikuara.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë nga dy persona. Nga hetimi ka rezultuar se Lavdosh I., ka regjistruar mbi një dokument të falsifikuar një truall prej 10 mijë m2, bazuar në një vendim pronësie të vitit 1993, lëshuar nga përgjegjësi i Seksionit të Kadastrës pranë Këshillit të Rrethi Vlorë.
Bazuar në aktin e ekspertimit tekniko-grafik, rezulton se ky dokument është i falsifikuar. Rezulton e provuar se sipërfaqja e pronës së regjistruar është ndarë dhe tjetërsuar me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, si dhe është spostuar duke përdorur dokumentin e mësipërm.
Pas kryerjes së veprimeve juridike mbi këtë pronë, rezulton se mbi dy pasuri janë ndërtuar dy objekte, e konkretisht një objekt tetëkatësh dhe një objekt njëmbëdhjetëkatësh.
Pas identifikimit të të gjitha pasurive të regjistruara mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe pasurive të regjistruara në emër të Lavdosh I. dhe mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e paluajtshme.