Doriane Pin, një femër pas 34 vitesh në Formula 1! Mercedesi e mendon seriozisht
Për herë të fundit një femër ka marrë pjesë në një garë zyrtare të Formula 1 në vitin 1992. Giovanna Amati, në timonin e një Brabham, garoi në Afrikën e Jugut, Meksikë dhe Brazil, duke shkruar historinë.
Kanë kaluar 34 vjet dhe asnjë femër nuk ka mundur të përfaqësojë ndonjë nga skuderitë e Formula 1. Këtë “agjerim” mund të ndërpresë Doriane Pin, pilotja që do të marrë pjesë në një sesion testesh private të Mercedesit.
Francezja 22-vjeçare është pjesë e programit junior të skduerisë gjermane, kampione e F1 Academy. Talenti i saj ka tërhequr vëmendjen e konstruktorëve të ndryshëm, duke e bërë një nga femrat më të impenjuara të motorsportit europian.
Përveç akordit me Mercedesin, pilotja e re ka një kontratë në fuqi edhe me Peugeot. Doriane Pin do të marrë pjesë edhe në garën e ardhshme 24 orë të Le Mans, por ëndrra e madhe është gjithmonë debutimi në Formula 1.
E ftuar në podcast-in “Betond the Grid”, Doriane ka shpjeguar punën e saj me simulatorin Mercedes: “Është shumë reale mendoj, po ta krahasojmë me makinën e vërtetë të Formula 1. Nuk e kam drejtuar ende një të tillë, por besoj se do ta kem një mundësi në testet e këtij viti”.
Fakti që Mercedesi e ka zgjedhur për këto teste tregon se sa shumë beson tek ajo, kështu që kalimi në Formula 1 nuk është vetëm një hipotezë. Pin nuk e fsheh dëshirën: “Objektivi im është të shkoj në Formula 1”. Koha do të tregojë, nëse Doriane do t’ia arrijë qëllimit, apo jo.
The post Doriane Pin, një femër pas 34 vitesh në Formula 1! Mercedesi e mendon seriozisht appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.