Dosja e SHISH/ Basha: Vlora Hyseni ka qenë në kushtet e presionit! Ish-prokurori Karanxha: Rrezikohet jeta e bashkëpunëtorë
Në emisionin “Real Story” në ABC News, eksperti i sigurisë Faik Basha dhe ish-prokurori Ervin Karanxha komentuan dosjen e SHISH dhe masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-kreut të institucionit, Vlora Hyseni.
Basha theksoi rëndësinë e SHISH dhe nevojën që drejtuesi i institucionit të mos bjerë pre e presioneve, ndërsa foli edhe për pasojat që mund të ketë çështja mbi institucionin.
Nga ana tjetër, Karanxha nënvizoi nevojën për kujdes gjatë hetimit, veçanërisht për mbrojtjen e jetës private të personave që nuk lidhen me veprën penale dhe sigurinë e bashkëpunëtorëve.
Faik Basha tha:
“Drejtuesi i SHISH nuk duhet të bjerë pre e presionit. Vlora Hyseni ka qenë në kushtet e presionit. Duhet të dimë që SHISH është shumë i rëndësishëm. Dy vitet e fundit ne kemi parë shumë grupe kriminale që nga Shqipëria deri në Amerikën Latine janë goditur, të marrësh përsipër që ke qenë pjesë e SHISH dhe ke bashkëpunuar është një kosto e madhe. Sistemi merr goditje. Por, reklama më negative është bërë nga subjekte të ndryshme politike, që e drejtuan luftën drejt institucioneve”.
Ish-prokurori Ervin Karanxha u shpreh se:
“Do të jetë objekt hetimi materialet që kanë dalë. Duhet të ketë shumë kujdes të jetës private të disa personave, që nuk kanë lidhje fare me hetimin dhe nuk kanë lidhje me veprën penale. Rrezikohet jeta e bashkëpunëtorëve”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.