Mucunski: Procesi i qasjes në BE duhet ta transformojë shoqërinë tonë, jo identitetin kombëtar
Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është sot një investim strategjik në sigurinë, fuqinë dhe të ardhmen e vetë Evropës — kështu u shpreh ministri i Jashtëm Timço Mucunski në hapjen e konferencës "Dialogjet Evropiane" në Shkup.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm një investim në stabilitetin e rajonit — ai është një investim strategjik i Evropës në sigurinë, fuqinë dhe të ardhmen e saj, deklaroi sonte në Shkup ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, siç njofton portali Fokus.
Mucunski foli në hapjen e konferencës “Dialogjet Evropiane, trashëgimia evropiane dhe e ardhmja”, e organizuar nga Instituti Francez në Paris, Instituti Francez në Shkup dhe Ambasada e Francës në Maqedoninë e Veriut, e cila do të zgjasë deri më 2 tetor. Në fjalimin e tij, ai nënvizoi rolin kyç që të rinjtë e Ballkanit Perëndimor kanë në formësimin e së ardhmes së Evropës.
“Procesi i qasjes duhet ta transformojë shoqërinë tonë, t’i forcojë institucionet tona dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët tanë. Ai nuk duhet ta transformojë identitetin tonë kombëtar”, tha Mucunski, sipas raportimit të Fokusit, duke shtuar se anëtarësimi në BE mbetet përcaktim strategjik i vendit.
Deklarata vjen në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, e cila pritet në Shkup të premten si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku çështja e bllokadës bullgare dhe ecuria e integrimit priten të jenë në qendër të bisedimeve me kreun shtetëror.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.