Dosje voluminoze me 6 akuza. Ja emrat që janë vënë nën ‘lupën’ e SPAK për çështjen ‘Spiropali’
Një dosje voluminoze që flet për një seri akuzash penale ndaj ish-kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali dhe familjarëve të saj, është dorëzuar në SPAK që prej fundit të muajit shtator 2026, duke çuar në nisjen e një procedimi nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar përmes burimeve pranë SPAK se dosja shoqërohet me një sërë provash dhe një kallëzim prej rreth 40 faqesh, çka ka sjellë lançimin e verifikimeve.
Hetimi aktualisht është regjistruar vetëm për 6 veprat penale të “Refuzimit dhe deklarimit apo fshehjes së pasurisë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e pabarazisë në tendera dhe ankande publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur” kryer në bashkëpunim.
Deri në këtë fazë çështja nuk ka persona nën hetim, por në objekt të hetimeve që po kryhen është pikërisht deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, bashkëshorti i saj Salarjon Totaj, vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali dhe dy kunatat e saj Blerina Totaj, Luranda Totaj.
Tashmë të 5 personat janë vënë në “lupën” e SPAK, ku Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet me marrjen e informacioneve nga Tatimet, Ministria e Bujqësisë, ku familjarët e Spiropalit kanë përfituar grante për plantacione me ullinj, informacione nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, Drejtoria e Patentave, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Policia e Shtetit.
Mësohet se në fokusin e hetimeve të SPAK janë vënë dhe disa shoqëri tregtare si “Salt Sh.p.k”, “Solomon Construction”, “Solomon Group”, “Fortes Construction”, “Blest Taxi” dhe “BioFoods”.
Transaksionet bankare të këtyre kompanive janë marrë në verifikim. Ndërsa po shihet nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK edhe pjesëmarrja e fondeve publike dhe granteve nga buxheti i shtetit.
Në “skaner” nga ana e SPAK është futur dhe verifikimi i pasurisë ndaj 5 personave të kallëzuar, pasi ka të dhëna dhe indicie të arsyeshme se një pjesë e pasurisë nuk është deklaruar nga Spiropali dhe bashkëshorti i saj, duke u fshehur tek emrat e familjarëve apo rrethit të ngushtë shoqëror.
Pritet që pas mbledhjes së dokumenteve, në SPAK ka shumë gjasa që brenda muajit janar 2027 të thirret për të dëshmuar deputetja Elisa Spiropali dhe rrethi familjar i saj.
Tashmë ky hetim është në hapat e para dhe ende nuk dihet si do e ketë konkluzionin përfundimtar. Hetimi i SPAK u iniciua në një kohë kur brenda Partisë Socialiste, nisën debatet politike mes “rrymave” që veprojnë brenda llojit.
Si pasojë e përplasjeve brenda Partisë, Spiropali u përjashtua pak ditë më parë nga forumet e PS. Dhe pas disa ditësh burime pranë SPAK njoftuan se kishte nisur një hetim për 6 vepra penale.
6 akuzat ku po hetohet
“Refuzimit dhe deklarimit apo fshehjes së pasurisë”,
“Pastrim i produkteve të veprës penale”
“Shpërdorim detyre”
“Shkelje e pabarazisë në tendera dhe ankande publike”
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.