☁️
Tiranë 18°C · Vranët 19 Nëntor 2026
S&P 500 7,324 ▼0.23%
DOW 50,198 ▼1.11%
NASDAQ 24,430 ▲0.42%
NAFTA 82.48 ▲0.21%
ARI 3,739 ▼0.08%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 90.2860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6249 EUR/TRY 55.3919 EUR/JPY 174.89 EUR/CAD 1.5717 EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 90.2860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6249 EUR/TRY 55.3919 EUR/JPY 174.89 EUR/CAD 1.5717
₿ CRYPTO
BTC $63,602 ▼ -1.81% ETH $1,803 ▼ -0.77% XRP $0.9813 ▼ -1.08% SOL $74.8700 ▼ -0.35%
S&P 500 7,324 ▼0.23 % DOW 50,198 ▼1.11 % NASDAQ 24,430 ▲0.42 % NAFTA 82.48 ▲0.21 % ARI 3,739 ▼0.08 % S&P 500 7,324 ▼0.23 % DOW 50,198 ▼1.11 % NASDAQ 24,430 ▲0.42 % NAFTA 82.48 ▲0.21 % ARI 3,739 ▼0.08 %
EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 90.2860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6249 EUR/TRY 55.3919 EUR/JPY 174.89 EUR/CAD 1.5717 EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 90.2860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6249 EUR/TRY 55.3919 EUR/JPY 174.89 EUR/CAD 1.5717
19 Nën 2026
Breaking
Opinion

Drejtuesit e PD sulmojnë aktivistët që refuzojnë të rreshtohen pas tyre

pd
Drejtuesit e Partisë Demokratike gjatë protestës së zhvilluar prej tyre me 8 maj 2026. Foto: LSA.

Nga: Blerina Gjoka

Aktivisti Edison Lika ndodhej ende në qelitë e paraburgimit të Durrësit të hënën për goditjen e makinës së kryeministrit Edi Rama me vezë, kur u sulmua njëherazi nga eksponentët e lartë të Partisë Demokratike në opozitë.

Bashkë me aktivisten tjetër, Sidorela Vatnikaj, Lika u targetua përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deputetja Albana Vokshi dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, të cilët i akuzojnë ata si “mercenarë të paguar nga Sorosi” – një etiketim politik denigues i përdorur rëndom nga Partia Demokratike për të diskretituar organizatat jofitimprurëse dhe një pjesë të protestuesve.

Aktivistët Lika dhe Vatnikaj janë pjesë e pandashme e protestave antiqeveritare prej fundit të muajit maj, por videoja e shpërndarë nga drejtuesit e Partisë Demokratike i akuzon ata përmes pretendimeve të pabazuara si sabotues të protestës dhe shkaktarë të mbajtjes së opozitës zyrtare jashtë saj.

Partia Demokratike në opozitë po përpiqet prej javësh që të shënjestrojë armiq mes protestuesve në një përpjekje për të delegjitimuar thirrjet që vijnë nga sheshi kundër liderit jetëgjatë të kësaj partie, Sali Berisha, ish-president dhe më pas ish-kryeministër i vendit.

Thirrja “Rama n’burg, Berisha n’burg” u përqafua nga protestuesit që në ditët e para të protestës që u pagëzua si “Revolucioni i Flamingove”, si shprehje e zemërimit ndaj një klase politike që ka dominuar tranzicionin e gjatë postkomunist, por edhe si reagim ndaj hezitimit fillestar të Berishës për të mbështetur protestën.

Sidorela Vatnikaj e cilësoi sulmin e PD-së si një “fushatë dezinformimi”, duke argumentuar se përpjekjet për të diskredituar protestën lidhen me frikën e opozitës nga humbja e rolit të saj politik përballë një lëvizjeje qytetare të pakontrolluar prej saj.

Sulmet e fundit të PD-së ndaj aktivistëve konsiderohen si shfaqje e “dobësisë politike” nga Dashamir Shehi, ish-deputet veteran i së djathtës dhe kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Sipas tij, protesta përfaqëson një potencial të rëndësishëm për opozitën dhe mund të shërbejë si burim energjie të re për të, ndaj PD duhet sipas Shehit të përpiqet ta afrojë atë dhe jo ta largojë përmes sulmeve publike.

“Në vend që të merren me Edi Ramën, apo të merren me veten, këta merren me aktivistët,” tha Shehi për BIRN.

Protesta e ‘flamingove’, argumenton Shehi, ka arritur të rikthejë politikën në një hapësirë të re ku në qendër janë problemet e njerëzve, ndërkohë që për një kohë të gjatë skena ishte dominuar nga “monologu i lodhshëm mes Ramës dhe Berishës”.

Po ashtu, Shehi i konsideron si absurde pretendimet e PD-së për ndikimin e Sorosit në organizimin e protestës apo në ndikimin e eksponentëve të saj.

“Njerëzit në rrugë nuk i nxjerr Soros, po pakënaqësia e madhe që kanë ndaj qeverisjes së keqe dhe të tejzgjatur, pamundësia e këtyre që bëjnë opozitë për të alternuar pushtetin dhe arroganca e pushtetit të Ramës,” tha Shehi.

Përpjekje për të kontrolluar protestën

Protesta nisi në fund të majit nga aktivistë mjedisorë dhe banorë të Zvërnecit kundër rrethimit me tela me gjemba të një pjese të bregdetit për një projekt turistik të lidhur me dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner.

Ndërsa projekti u kundërshtua si një rrezik për shkatërrimin pa kthim të një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit, kreu i PD-së, Berisha deklaroi publikisht se nuk ishte kundër investimeve të huaja. Po ashtu, PD mbajti qëndrime kontradiktore në raport me protestën dhe hezitoi ta mbështeste atë në fillim, duke krijuar një distancë me aktivistët dhe qytetarët që u mblodhën spontanisht në shesh.

Për Enton Abilekajn, analist i politikës, gjashtë muaj më pas, Partia Demokratike e sheh një lëvizje të pavarur si kërcënim për pozitat e saj politike dhe me sulmet e saj tenton kontrollin e protestës.

“Mesazhi që kanë marrë nga protesta ka qenë refuzues,” tha Abilekaj për BIRN.

“Thirrjet “Rama në burg – Berisha në burg” që përcaktonin binomin problematik të postkomunizmit, e përjashtonin mundësinë e bashkëpunimit të PD me qytetarët, kryesisht të paangazhuar politikisht,” shtoi ai.

Sipas Abilekajt, përplasja u thellua sa herë që PD tentoi të afrohej me protestën apo të ofronte mbështetjen e saj. Abilekaj e interpreton këtë sjellje të PD-së si përpjekje për të imponuar drejtimin e saj mbi një protestë që nuk e kontrollon.

“Berisha dhe PD kishin marrë vendimin t’i imponoheshin protestës, ose ta merrnin në kontroll”, thotë ai, duke argumentuar se sulmet e fundit ndaj aktivistëve nuk janë thjesht personale, por drejtohen ndaj kujtdo që kundërshton këtë përpjekje.

Për këtë arsye, Abilekaj paralajmëron se sulmet e kësaj partie ndaj figurave të spikatura që nuk pranojnë t’i nënshtrohen drejtimit të opozitës do të vazhdojnë.

“Në një fazë më të pjekur, kur protesta të angazhohet më shumë politikisht, PD do të jetë e kërcënuar po aq sa PS, Berisha po aq sa Rama, sepse protesta ka treguar që nuk është në dispozicion të asnjërës prej partive aktuale, por shikon përtej kësaj klase politike,” përfundoi Abilekaj.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.