DUBLIN – Von der Leyen: BE-ja po përgatit sanksione të reja ndaj Rusisë
– Bashkimi Evropian po përgatit paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa paralelisht po harton një plan për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës për vitin 2027, sipas “Reuters”.
Njoftimi u bë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Dublin, ku po zhvillohej samiti i Komunitetit Politik Evropian.
Ajo deklaroi se të dyja propozimet, do të paraqiten përpara mbledhjes së ardhshme të Këshillit Evropian, të planifikuar më 26 dhe 27 nëntor.
“Po përgatisim paketën e sanksioneve dhe propozimin për nevojat financiare. Do t’i paraqesim përpara Këshillit të ardhshëm Europian”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo theksoi se mbështetja evropiane për Ukrainën, do të vijojë pavarësisht zhvillimeve në terren dhe ecurisë së negociatave për paqen.
“Ne do ta mbështesim Ukrainën, si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian.
Von der Leyen përshëndeti gjithashtu bisedimet e zhvilluara në Abu Dabi mes përfaqësuesve të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar përfshirjen e përfaqësuesve europianë në proces.
Ajo tha se prania e Evropës është e rëndësishme për të mbrojtur interesat e Bashkimit Evropian, ndërsa kujtoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte kërkuar mbështetjen e vendeve europiane në këto negociata.
Masat e mundshme në paketën e re
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga agjencia “Reuters”, paketa e 22-të pritet të përfshijë kufizime të reja ndaj bankave ruse, kriptomonedhave dhe platformave të tregtimit të tyre, si dhe masa për të mbyllur rrugët që përdoren për të shmangur sanksionet përmes vendeve të treta.
Në diskutim është edhe mundësia e ndalimit të pjesëmarrjes së sportistëve rusë dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare, të zhvilluara në territorin e Bashkimit Europian.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka mbështetur idenë e kufizimeve në sport, duke argumentuar se pjesëmarrja në aktivitetet e mëdha ndërkombëtare, i jep Rusisë mundësinë të paraqitet si një vend i pranuar në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu, sipas “Reuters”, po diskutohen edhe kufizime të mundshme të vizave për ish-luftëtarët rusë. Megjithatë, këto masa janë ende në fazën e diskutimit dhe nuk janë konfirmuar si pjesë përfundimtare e paketës.
BE dërgon ndihmë për Ukrainën përpara dimrit
Paralelisht me përgatitjen e sanksioneve, Bashkimi Evropian ka njoftuar edhe masa të reja, për të ndihmuar Ukrainën të përballojë dimrin dhe pasojat e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Dublin, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, njoftuan mobilizimin e 500 gjeneratorëve nga rezervat europiane të emergjencës “rescEU”.
Pajisjet do të ndihmojnë në furnizimin me energji elektrike dhe ngritjen e qendrave të mbështetjes emergjente për popullsinë ukrainase.
BE-ja po mbështet gjithashtu dërgimin e katër urave të lëvizshme nga Norvegjia dhe 200 autobusëve për Ukrainën.
Në të njëjtën deklaratë, dy drejtuesit evropianë rikonfirmuan angazhimin për të vijuar ndihmën financiare dhe ushtarake për Kievin, si dhe për të mbështetur rindërtimin e vendit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tyre, Ukraina duhet të hyjë në negociatat për paqen nga një pozicion i fortë, ndërsa Rusia duhet të bindet të angazhohet seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje, që garanton një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.